Rama përshëndet votimin e buxhetit të Kryeqytetit: Jo sabotim, por zhvillim
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka falënderuar asambleistët e Prishtinës që votuan pro buxhetit për vitin 2026.
Rama tha se miratimi i buxhetit të Kryeqytetit është imazhi më i qartë se si funksionon demokracia kur asamblistët janë aty për të ndërtuar e jo për të bllokuar, për të marrë përgjegjësi e jo për të sabotuar.
“Kjo është diferenca mes politikës të së kaluarës, që e mbante Kryeqytetin peng, dhe qeverisjes që zgjedh të ecë përpara me vizion, guxim dhe vendimmarrje. Kjo mendësi është themeli i zhvillimit”, u shpreh Rama.
Ai tha se vetëm atëherë kur institucionet çlirohen nga kultura e bllokadës, “hapet rruga për planifikim serioz, investime strategjike dhe projekte që prekin jetën e qytetarëve”.
“Sot, si Kryeqytet, kemi kënaqësinë dhe përgjegjësinë politike të flasim për zhvillim urban, mirëqenie dhe të ardhme, e jo për sabotime, kriza artificiale dhe interesa të ngushta partiake. Ky buxhet nuk është thjesht një dokument financiar. Është deklaratë politike. Është mesazh i qartë se Prishtina ka zgjedhur qeverisjen demokratike, përgjegjësinë, të ardhmen”, potencoi kreu i Kryeqytetit.
Të premten Kuvendi Komunal i Prishtinës miratoi buxhetin për vitin fiskal 2026 me 33 vota pro, 8 kundër dhe asnjë abstenim.