Si e shohin analistët aktgjykimin e Kushtetueses e rolin e Listës Serbe
Aktgjykimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese dhe interpretimet rreth tij po vazhdojnë të nxisin debat të fortë politik dhe juridik në vend. Analistë dhe njohës të zhvillimeve politike e kushtetuese kanë dhënë vlerësime të ndryshme për pasojat që ky vendim mund të ketë në funksionimin e Kuvendit dhe në balancën politike.
Sipas profesorit Bujar Dugolli, situata aktuale lidhet drejtpërdrejt me veprimet e mëhershme të Listës Serbe dhe me kontekstin e sigurisë në veri të vendit.
“Në rastin konkret, situata e krijuar vjen pasi Lista Serbe është futur në kriminalitet të rëndë, siç është sulmi në Banjskë, sulmi ndaj gazetarëve, sulmi tek Ibër-Lepenci dhe veprimet e tyre duke cenuar rendin kushtetues”, vlerëson Dugolli.
Sipas tij, reagimet që tash i kemi, sidomos të Lëvizjes Vetëvendosje, e cila është më e zëshmja në këtë pikë, janë rezultat i veprimeve të Listës Serbe. Dugolli vlerëson se me këtë vendim Kushtetuesja po i jep primatin një partie politike.
Dugolli shton se vendimi, sipas tij, krijon përparësi politike për një subjekt të caktuar: “Unë kam thënë se ky është një vendim që i shkon në favor Listës Serbe dhe kjo është bërë me tendencë, përmes narrativës, për ta futur vendin në një krizë politike”.
Dugolli tha se me këtë Aktgjykimi, Gjykata Kushtetuese e ka përjashtuar për një kohë të konsiderueshme çdo kandidat që vjen nga ndonjë parti tjetër serbe për të qenë nënkryetar i Kuvendit të Kosovës. Sipas tij, një situatë e tillë do të ketë implikime procedurale dhe mund të krijohen bllokada në procesin e zgjedhjes së strukturave udhëheqëse të Kuvendit.
“Ata mund të propozojnë dhe mund të synojnë që edhe kandidati i nëntë të mos kalojë më shumë se tri herë. Këta e kanë përjashtuar të dhjetin, por duhet të përsëritet prapë brenda afatit kushtetues prej 30 ditësh që të kalojë për së dyti. Kjo bie ndesh me vendimin e mëhershëm kushtetues. Nëse deputeti i dhjetë nuk i merr votat, atëherë shpërbëhet Kuvendi. Por këta nuk kanë lënë opsion tjetër: ose me blloku zgjedhjen ose me vepru njëjtë si më herët dhe me kriju një krizë të re”.
Dugolli tutje shtoi se LVV duhet ta lexojë këtë tendencë dhe që, sipas tij, Kushtetuesja nuk ka lënë alternativë tjetër, përveç votimit ose bllokimit.
Në të njëjtën linjë, ai përmend edhe aspektin juridik të kandidimit. “Nenad Rashiq mund të dalë ta propozojë veten dhe është i ligjshëm për t’u zgjedhur dhe për të qenë kandidat për nënkryetar. Gjykata po i jep monopol një partie që e shkel rendin kushtetues të Kosovës”.
Nga ana tjetër, analisti Sadik Zeqiri e sheh Aktgjykimin si juridikisht të qartë dhe të bazuar në interpretim kushtetues dhe rregullor.
Ai vlerëson se: “Aktvendimi i Gjykatës Kushtetuese është shumë i qartë. Aty thuhet se kandidati për nënkryetar duhet të propozohet nga shumica e deputetëve të komunitetit serb, që i bie se Lista Serbe ka të drejtë. Kjo vlen edhe sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe Rregullores së Kuvendit, e cila është ndryshuar në vitin 2022”.
Sipas Zeqirit, problemi lidhet edhe me mënyrën si është trajtuar rregullorja e Kuvendit. Ai thotë se një rregullore e tillë do të duhej të dërgohej në Kushtetuese për t’iu gjetur gabimet dhe për t’u rrëzuar, duke u kthyer te rregullorja e vjetër. “Këtë është dashur ta bëjë partia që ka kërkuar ndryshimin e rregullores, e cila nuk është mbështetur më pas nga partitë e tjera opozitare”.
Tutje, Zeqiri thekson dallimin mes formulimeve juridike. “Kushtetuta thotë ‘të propozohet’, ndërsa rregullorja thotë ‘të zgjidhet nga shumica parlamentare’, pra nga subjekti që është më i madhi në Kuvendin e Kosovës, gjë që e çon drejtpërdrejt te Lista Serbe”. Megjithatë, sipas Zeqirit, është e mundur që Kuvendi të konstituohet.
Kritik ndaj Aktgjykimitt, është shprehur edhe Ejup Gojnovci i cili e cilëson atë si një ndër vendimet më problematike politikisht.
“Ky është një prej aktgjykimeve më skandaloze politikisht të Gjykatës Kushtetuese. Jo i pari, por shpresoj të jetë i fundit në politikën e vendit. Ky Aktgjykimi po krijon veto brenda Kuvendit të Kosovës”. Ai në RTK, tha se një i tillë krijon precedent të rrezikshëm institucional.
“Është skandaloz sepse nuk mund t’i gjykosh dhe t’i japësh të drejtë dikujt në mënyrë eksplicite. Kjo krijon veto për Listën Serbe brenda Kuvendit të Kosovës, për minoritetin serb dhe Listën Serbe në këtë rast”.
Ejup Gojnovci parasheh se një vendim i tillë, përveç që po krijon veto të Listës Serbe, mund të ketë pasoja afatgjata për vendin në politikë.
“Këto Aktgjykime nuk prekin vetëm Kuvendin në këtë rast. Lista Serbe tani i ka 9 deputetë dhe ndoshta do të kalojnë edhe 10 vite që askush nuk mund të futet në garë me ta dhe as ta marrë nënkryetarin e Kuvendit, sepse kjo veto ua jep ekskluzivitetin atyre”.
Gojnovci po ashtu iu referua edhe Paketës së Ahtisaarit, duke shtuar se kur flasim për të drejtën e serbëve të garantuar në Pakon e Ahtisaarit, ajo flet për pakicën si komunitet shumicë dhe jo si shumicë brenda llojit, por si komunitet shumicë që i takon një nënkryetar. “Këtu kemi betonim të Listës Serbe në Kuvend dhe këtu është skandali i madh i Gjykatës Kushtetuese dhe një precedent shumë i rrezikshëm”.
Ndërkohë, në debat është hapur edhe çështja e përfaqësimit politik brenda komunitetit serb.
Kritika të ashpra ndaj Aktgjykimit të Kushtetueses ka edhe analistja Fatime Hajdari, e cila thotë se përveç që po cenohet e drejta e vetos për deputetët dhe po detyrohen të votojnë dikë që ka cenuar rendin kushtetues në vend, në këtë formë po cenohet edhe e drejta e përfaqësuesve të tjerë të serbëve që nuk janë pjesë e Listës Serbe.
“Pse Rashiqi është më pak serb se sa ata të Listës Serbe dhe le të dalin të tregojnë se ku janë bazuar kur e kanë marrë një vendim të tillë? Me këtë vendim po cenohet e drejta e deputetit për votë të lirë dhe po krijohet një praktikë e re”, tha Hajdari.