Koci: Rinumërimi i plotë i votave mund ta fusë Kosovën në krizë politike
Politologu, Melazim Koci ka vlerësuar se vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për rinumërimin e plotë të të gjitha votave në vendvotimet e 28 komunave ka ardhur si pasojë e dyshimeve të mëdha për manipulime serioze në procesin zgjedhor.
Sipas tij, bëhet fjalë për skandalin më të madh zgjedhor që nga viti 1999, i cili tejkalon edhe atë që ishte cilësuar si “vjedhje industriale” në zgjedhjet e vitit 2010.
Në emisionin “Ditari” në Tëvë1, Koci ka theksuar se KQZ-ja nuk ka pasur alternativë tjetër përveç rinumërimit total, me qëllim të largimit të dilemave në procesin zgjedhor.
“Mendoj se KQZ-ja nuk kishte zgjidhje tjetër për të hequr dilemat apo dyshimet e mëdha në një proces që, më së paku, mund të quhet skandaloz. Bëhet fjalë për ndoshta vjedhjen më të madhe që nga viti 1999, e cila i tejkalon përmasat e asaj që quhej vjedhje industriale në vitin 2010. Besoj se ky ka qenë motivi i KQZ-së për të marrë vendimin për rinumërim total të votave”, ka deklaruar Koci.
Megjithatë, ai ka paralajmëruar se ky vendim mund të ketë pasoja të rënda politike për vendin, pasi pritet ta zgjasë ndjeshëm procesin zgjedhor dhe ta fusë Kosovën në një qorrsokak apo krizë politike.
Koci ka veçuar veçanërisht rastet e dyshuara për manipulim të votës në Prizren, duke i cilësuar ato si pjesë të një skandali me përmasa kombëtare.
“Kjo do të ketë pasoja shumë të rënda, pasi do ta zgjasë ndjeshëm procesin dhe mund ta fusë Kosovën në një qorrsokak apo krizë politike. Megjithatë, ajo që ka ndodhur me manipulimet e votës, sidomos në Prizren, besoj se është skandali më i madh që nga viti 1999”, ka shtuar ai.
Sipas tij, nuk përjashtohet mundësia që këto manipulime të jenë rezultat i një skeme të organizuar për ta goditur procesin demokratik në Kosovë.
“Është bërë nga ata që unë i quaj cuba politikë, njerëz që nuk e kuptojnë çfarë është demokracia, ose është një skemë e organizuar për ta goditur procesin demokratik në Kosovë”, ka shtuar ai.
Ai gjithashtu nuk ka përjashtuar mundësinë që në këtë skemë të jenë të përfshira shumica e partive politike, duke theksuar se hetimi duhet të zbardhet sa më parë nga Prokuroria.
“Nuk e përjashtoj mundësinë që në këtë proces të jenë të përfshira shumica e partive politike. Përmasat e kësaj përfshirjeje duhet dhe mund t’i përcaktojë sa më parë Prokuroria. Megjithatë, nuk besoj se ky është një proces që ka filluar dhe ka përfunduar te individët, pasi shtrirja e tij është në të gjitha komunat e Kosovës dhe, si i tillë, e godet rëndë rendin kushtetues të vendit. Aseti më i rëndësishëm i Kosovës është demokracia dhe nëse goditet vota e lirë, pak mbetet nga Kosova”, ka përfunduar Koci, duke paralajmëruar se rrëshqitja drejt modeleve autokratike do të ishte fatale për të ardhmen e vendit.
Ndryshe, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur që të ketë rinumërim të plotë të të gjitha votave në vendvotimet në 28 komuna.
Po ashtu është vendosur që të shkarkohet përfaqësuesit politikë në Komisionin Komunal Zgjedhor në Prizren, ku sipas kreut të KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, janë vërejtur dallimet më të mëdha në votat për kandidatët për deputetë.
Paraprakisht, në këto 28 komuna KQZ kishte vendosur që të rinumëroheshin vetëm 10 për qind e vendvotimeve, ndërkaq në 10 komuna të tjera vendosi për rinumërim të plotë.
Vendimi i 19 janarit vjen pasi gjatë rinumërimit të pjesshëm u vërejtën dallime të mëdha në votat për kandidatët për deputetë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit të vitit 2025.