FBI-ja sjell agjent special dhe analist të inteligjencës në Kosovë, do të bashkëpunojnë me Policinë
Policia e Kosovës ka njoftuar se drejtori i përgjithshëm, Gazmend Hoxha, ka zhvilluar një takim zyrtar në Prishtinë me atasheun ligjor të FBI-së, Brendan Collins, si dhe me atasheun e Departamentit të Drejtësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës (DOJ-ICITAP), Kimberly Riffe.
Gjatë takimit, përfaqësuesit amerikanë kanë prezantuar dy zyrtarë të FBI-së – një agjent special dhe një analist të inteligjencës, të cilët në muajt në vijim do të angazhohen në bashkëpunim të drejtpërdrejtë dhe paralel me Policinë e Kosovës.
Sipas njoftimit, diskutimet janë fokusuar në planet për bashkëpunim të mëtejmë, forcimin e partneritetit strategjik dhe thellimin e koordinimit ndërinstitucional, veçanërisht në fushën e hetimeve penale dhe inteligjencës.
Të dyja palët kanë riafirmuar përkushtimin për bashkëpunim të vazhdueshëm me synim rritjen e sigurisë dhe luftimin efektiv të krimit të organizuar dhe veprimtarive të tjera kriminale.