Kurti pret William Walkerin në prag të 27-vjetorit të Masakrës së Reçakut

Kurti pret William Walkerin në prag të 27-vjetorit të Masakrës së Reçakut

Aktuale January 14, 2026 - 17:06

 Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot në takim ambasadorin William Walker, ish-shef i Misionit Verifikues të OSBE-së, në prag të shënimit të 27-vjetorit të Masakrës së Reçakut.

Ambasadori Walker ishte i shoqëruar nga bashkëshortja e tij dhe bashkëpunëtorë, ndërsa takimi u zhvillua në një atmosferë miqësore. Kryeministri Kurti shprehu mirënjohje të thellë për rolin historik të Walkerit në ekspozimin e krimeve gjenocidale të kryera nga Serbia ndaj popullit të Kosovës, duke theksuar rëndësinë e kontributit të tij në mbrojtje të së vërtetës dhe drejtësisë ndërkombëtare.

Gjatë bashkëbisedimit, palët diskutuan për zhvillimet e fundit politike në vend, si dhe për përgatitjet lidhur me ceremoninë përkujtimore të Masakrës së Reçakut, e cila do të mbahet nesër në komunën e Shtimes. Të dy, Kurti dhe Walker, do të marrin pjesë në këtë ceremoni përkujtimore.

Nga ana e tij, ambasadori William Walker falënderoi për pritjen dhe bisedën, duke e uruar kryeministrin Kurti për rezultatin zgjedhor dhe fitoren në zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025.

Masakra e Reçakut, e ndodhur më 15 janar 1999, mbetet një nga ngjarjet më të rënda të luftës në Kosovë dhe një dëshmi e krimeve të kryera ndaj civilëve shqiptarë, ndërsa roli i ambasadorit Walker në denoncimin e saj konsiderohet vendimtar në ndërgjegjësimin e opinionit ndërkombëtar./Zëri

Image