Kosova mbështet operacionin e SHBA-së në Venezuelë
Foto: Laura Hasani

Kosova mbështet operacionin e SHBA-së në Venezuelë

Aktuale January 03, 2026 - 13:51

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka shprehur mbështetjen e plotë të Republikës së Kosovës për operacionin anti-narkotik të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Venezuelë, të udhëhequr nga presidenti amerikan, Donald Trump, duke theksuar rëndësinë e mbajtjes përgjegjës të aktorëve shtetërorë të përfshirë në trafikimin e drogave.

Kurti ka vlerësuar se lufta kundër narkotikëve është thelbësore për ruajtjen e sigurisë dhe vlerave demokratike, duke nënvizuar rolin e Kosovës si aleate strategjike e SHBA-së dhe NATO-s.

“Republika e Kosovës mbështet operacionin anti-narkotik të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të udhëhequr nga Presidenti Donald Trump, në Venezuelë. Mbajtja përgjegjës e aktorëve shtetërorë të përfshirë në trafikimin e drogave është thelbësore për suksesin në luftën kundër kësaj dukurie”, tha ai.

Kurti ka theksuar se Kosova mbetet e përkushtuar në bashkëpunimin me aleatët perëndimorë në luftën kundër kriminalitetit dhe kërcënimeve që synojnë destabilizimin e demokracive.

“Kosova, si aleate strategjike e ShBA-së dhe NATO-s, ofron mbështetje të plotë në luftën kundër trafikimit të narkotikëve dhe kundër cenimit të vlerave demokratike perëndimore nga aktorë përfaqësues (proxy) të kundërshtarëve të këtyre vlerave, si në rajonin tonë ashtu edhe më gjerë”, tha ai.

Në këtë kontekst, kryeministri në detyrë ka paralajmëruar edhe për rreziqet që, sipas tij, vijnë nga aktorë të caktuar rajonalë, duke bërë thirrje për rritje të vëmendjes ndaj këtyre zhvillimeve.

“Në këtë kontekst, ritheksojmë nevojën për rritjen e vëmendjes ndaj aktorëve të caktuar rajonalë, të cilët në vazhdimësi synojnë provokimin e situatës së sigurisë përmes veprimeve hibride, kriminale, terroriste dhe ushtarake”, ka shkruar Kurti.