Banjska, Ibër-Lepenci e hetimet për spiunazh, prioritetet e gjykatave për vitin 2026
Gjatë këtij viti, Gjykata Themelore në Prishtinë është përballur me një numër të madh të proceseve gjyqësore, që lidhen me sigurinë kombëtare, veprat e terrorizmit, spiunazhin, por edhe krimet e rënda që kanë tronditur opinionin publik, përfshirë vrasjet e grave.
Një prej rasteve më të rëndësishme mbetet procesi gjyqësor për sulmin terrorist në Banjskë, të ndodhur më 24 shtator 2023. Pas hetimeve të Prokurorisë Speciale dhe ngritjes së aktakuzës, para trupit gjykues po përballen tre të akuzuar, ndërsa procedura është veçuar për 42 persona të tjerë, mes tyre edhe Milan Radoiçiq, i identifikuar si udhëheqës i grupit të armatosur.
Në këtë sulm u vra rreshteri i Policisë së Kosovës Afrim Bunjaku, ndërsa dy policë të tjerë u plagosën. Sipas aktakuzës, grupi dyshohet se ka vepruar në mënyrë të organizuar, me qëllim destabilizimin e sigurisë dhe shkëputjen e pjesës veriore të vendit, për t’ia bashkuar Serbisë. Prokuroria thotë se provat përfshijnë video-incizime, pajisje elektronike të sekuestruara dhe dëshmi të tjera.
Në këtë gjykatë po zhvillohet edhe procesi për rastin e sulmit në kanalin “Ibër-Lepenc”, i cili konsiderohet ndër sulmet më serioze kundër infrastrukturës kritike të Kosovës. Pas një hetimi të përbashkët me Policinë e Kosovës dhe partnerët evropianë, Prokuroria ka ngritur aktakuzë ndaj tre personave për vepra që lidhen me terrorizëm, rrezikim të rendit kushtetues, armëmbajtje pa leje dhe spiunazh.
Sipas aktakuzës, më 29 nëntor 2024, në zonën e Zubin Potokut, të pandehurit dyshohet se kanë vendosur rreth 20 kilogramë eksploziv brenda kanalit, duke rrezikuar ujin, mjedisin dhe sigurinë publike.
Procesi gjyqësor po vazhdon me administrimin e provave teknike dhe dëshmitarëve. Një tjetër kapitull i rëndësishëm i punës së kësaj gjykate lidhet me rastet e vrasjeve të grave, të cilat kanë shkaktuar reagim të gjerë shoqëror. Në qendër të vëmendjes mbetet rasti i Liridona Ademajt.
Sipas aktakuzës së ngritur në janar, Prokuroria pretendon se Naim Murseli ka organizuar vrasjen në bashkëpunim me Kushtrim Kokallën dhe Granit Plavën, në këmbim të një shpërblimi financiar prej 30 mijë eurosh. Në seancat e para, të pandehurit kanë dhënë deklarime të ndryshme për fajësinë, ndërsa procesi ka hyrë në fazën e paraqitjes së provave dhe pamjeve filmike. Rasti ka marrë vëmendje të veçantë edhe për shkak të reagimit publik dhe kërkesës për drejtësi nga familja e viktimës.
Në Gjykatën Themelore po zhvillohet gjithashtu edhe procesi gjyqësor për veprën penale të spiunazhit ndaj Bedri Shabanit dhe Muharrem Qerimit. Sipas aktakuzës, ata dyshohen se kanë komunikuar me strukturat e Shërbimit Sekret Serb dhe kanë transmetuar informacione për institucionet e sigurisë në Kosovë, përfshirë Policinë, AKI-në dhe hetime të ndjeshme të periudhës së luftës. Të akuzuarit kanë mohuar fajësinë, ndërsa gjykimi po vazhdon. Të gjitha këto procese pritet të vazhdojnë edhe gjatë vitit 2026, deri në shpalljen e aktgjykimeve të shkallës së parë./rtk