40 mijë euro dorëzani për Fadil Fazliun, nuk e bindi Specialen
Që të dy, Isni Kilaj dhe Fadil Fazliu, ofruan nga 40 mijë euro secili si dorëzani.
Kjo ishte përpjekja e radhës e tyre për lirim me kusht nga Gjykata Speciale.
Kjo dorëzani, u aprovua për Isni Kilaj, por jo edhe për Fadil Fazliu.
Për të paktën edhe dy muaj të tjerë, Fazliu mbetet në qendrën e paraburgimit në Hagë, në përballjen e tij me akuzat për pengim të drejtësisë.
“Sa i përket arratisjes, Z. Fazliu nuk ka status politik, asnjë kapacitet për t’u mbështetur në rrjete me ndikim, asnjë qëllim për të abuzuar me statusin e tij shoqëror,dhe asnjë pasaportë shqiptare. Ai zotohet të mos largohet nga Prishtina dhe ofron të dorëzojë të gjitha dokumentet e udhëtimit. Një garanci prej 40,000 eurosh krijon një nxitje të fortë për zbatim. Marrëdhënia e tij sentimentale me z. Thaçi nuk e tejkalon angazhimin e tij familjar në mënyrë të tillë që z. Fazliu të vinte në rrezik sigurinë dhe mirëqenien e tyre financiare”.
Asnjëra prej këtyre argumenteve, nuk e bindi Gjykatësin e Procedurës Paraprake që të lirojë me kusht Fazliun.
I njëjti, vendimin e shkallës së parë e atakoi në Apel, por që as Gjykata e Apelit brenda Dhomave të Specializuara, nuk vendosi në favor të Fazliut.
“Arsyeja se pse njërit nuk ia ka pranuar dorëzania dhe tjetri iu ka pranuar dorëzania është e diçka e pakuptimtë, për faktin se në qoftë se të dyve iu është caktuar paraburgimi për pikën e njëjtë të veçantë në vendimin për paraburgim, siç është fjala për arratisjen, domethënë është dashtë që të dytë të trajtohen në mënyrë të barabartë.”, shprehet avokati Kadri Osaj.
Përpos Kilaj e Fazliut, bashkë të akuzuar tjerë janë edhe Hashim Thaçi, Bashkim Smakaj e Hajredin Kuçi./teve1