Kurti për opozitën: S’e kanë problemin me mua, por me fituesin e zgjedhjeve
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti foli edhe për gjuhën e përdorur nga ai dhe partia e tij në drejtim të mediave edhe opozitës.
Kur u pyet nëse kjo gjuhë dhe përqasje ndikoi që të mos formohej Qeveria për shumë muaj, ai tha se nuk ka të bëjë me gjuhën dhe se në Kosovë nuk ka pasur prishje raportesh të partive nga gjuha ofenduese.
Madje, ai tha se është ofenduar edhe më rëndë se cdo kush tjetër në vend.
Kryeministri në detyrë foli edhe për mosvotimin e kandidatëve për kryetarë Kuvendi nga opozita, edhe pse pati propozime të shumta.
“Ata dëshmuan se nuk e kanë problemin me mua, por e kanë problemin me fituesin e zgjedhjeve, të cilit nuk ia pranojnë rezultatin”, u shpreh Kurti në Kanal10.
Kurti ritheksoi se ka tentuar të krijojë ura bashkëpunimi, mirëpo sipas tij nuk ka pasur gatishmëri nga ana e opozitës. /Zëri