Osmani: Arti i të rinjve është thirrje kundër dhunës dhe padrejtësisë

Osmani: Arti i të rinjve është thirrje kundër dhunës dhe padrejtësisë

Aktuale December 09, 2025 - 20:18

Në Prishtinë është hapur ekspozita “Vija që Pikturon Rinia”, organizuar nga UNDP Kosova në bashkëpunim me Zyrën e Koordinatorit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDCO). Aktiviteti u shoqërua edhe me ndarjen e çmimeve për punimet më të dalluara.Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, mbajti një fjalë rasti ku e vlerësoi këtë ekspozitë si një nismë të rëndësishme sensibilizuese. Ajo theksoi se të rinjtë e vendit po e artikulojnë qartë qëndrimin e tyre kundër dhunës dhe padrejtësisë.

Sipas saj, përparimi shoqëror është i pamundur pa barazi dhe drejtësia nuk mund të ekzistojë pa llogaridhënie.

“Kjo konferencë vjen nga duart e të rinjve tanë. Nuk është vetëm një vend për t’u takuar dhe për të festuar kreativitetin, por mbi të gjitha është një vend vetëdijësimi, kur ka nevojë, aq më shumë. Në një ditë kur dhuna me bazë gjinore është kaq e dukshme, çfarë thotë kjo për shoqërinë tonë, e cila me çdo ditë që kalon ende nuk shërohet plotësisht dhe vazhdon ta ketë këtë plagë të hapur, të pasqyruar edhe në artin e nxënësve?”, tha Osmani.

Duke folur për mesazhin që sjellin veprat artistike, ajo nënvizoi se ato përfaqësojnë histori dhimbjeje, rezistence dhe shprese.

“Është një vijë e kuqe, një vijë e kuqe që brezi i ri po e vizaton qartë, kundër dhunës dhe padrejtësisë. Çdo pikturë që pamë sot përcjell një mesazh të fuqishëm. Disa prej tyre tregojnë histori dhimbjeje, histori rezistence, por mbi të gjitha secila prej tyre bart një histori shprese”, theksoi ajo.

Presidentja shtoi se roli i të rinjve është thelbësor në çuarjen përpara të shoqërisë.

“Kur të rinjtë ngrisin zërin, shoqëria gjithmonë ecën përpara. Ky është rrëfimi i Republikës sonë, Kosovës. Puna jonë nuk duhet të ndalet kurrë derisa të ndërtojmë një kulturë ku çdo vajzë dhe çdo djalë rriten të sigurt, të barabartë dhe të mbrojtur”, tha ajo.

Ajo theksoi se, ndonëse brezi i ri po rritet në paqe, sfida e sotme mbetet dhuna me bazë gjinore – një plagë që, sipas saj, nuk shërohet me heshtje, por përmes veprimit dhe solidaritetit.

“Brezi juaj është brezi i parë në historinë e Kosovës që po rritet në paqe, larg luftës, por beteja jonë e përditshme tani zhvillohet në një front tjetër, mes nesh dhe dhunës me bazë gjinore. Dhe kjo plagë, kjo betejë, nuk shërohet me heshtje. Ajo mund të zhduket vetëm me veprim, solidaritet dhe me guximin për të thënë ‘mjaft’”, deklaoi ajo.

Duke u drejtuar të rinjve pjesëmarrës, Osmani vuri në pah fuqinë e artit si mjet që sfidon frikën dhe gjeneron ndryshim.

“Prandaj ajo që po bëni ju, të rinj të jashtëzakonshëm, është thelbësore. Ju po na kujtoni se arti mund të jetë më i fuqishëm se frika, se kreativiteti mund të jetë një formë rezistence dhe se një pikturë mund të ndryshojë mënyrën si e shohim botën, madje edhe vetë botën”, tha Osmani.

Në fund, ajo i përgëzoi të gjithë pjesëmarrësit për mesazhin dhe kontributin e tyre./rtk