Edhe në inaugurimin e Përparim Ramës si kryetar i Prishtinës s'munguan përplasjet mes LVV-së dhe LDK-së
Bashkë me bashkëshorten iu drejtua Kuvendit Komunal.
Kështu i pari i Prishtinës Përparim Rama zuri vendin e tij.
E kur të gjithë zunë vendet e tyre ishte momenti për intonimin e himnit shtetëror dhe atij kombëtar që ishte si pikë nisje për mbledhjen inauguruese të Kuvendit Komunal të Prishtinës.
Këtë mbledhje e kryesori Lumnije Mikullovci si asamblistja më e vjetër e këtij Kuvendi duke treguar kështu edhe pikat e rendit të ditës.
“Në këtë mbledhje është paraparë që të jenë tri pika: betimi i anëtarëve të Kuvendit, betimi i kryetarit të kryeqytetit dhe zgjedhja e kryesuesit të kuvendit të kryeqytetit”, ka thënë Mikollovci.
E më pas po e njëjta njoftoi edhe për zëvendësimet e anëtarëve nga partitë politike.
“Para se të fillojmë me pikën e parë ju njoftojmë lidhur me zëvendësimet e anëtarëve nga të gjitha grupet politike. Në vend të kryetarit Përparim Rama vije Amir Simnica nga radhët e LDK-së, në vend të Uran Ismajlit vjen anëtari i radhës Trim Syla nga PDK, në vend të anëtarit Bekë Berisha vjen Yll Boga nga AAK, në vend të anëtares Jeta Statovci vjen anëtari Jeton Mehmeti nga Guxo”, ëhstë shprehur tutje Mikullovci.
Kurse, më pas radha i erdhi formimit të komisionit për verifikimit të mandatave.
Kur kjo veç se u krye, tani më radha ishte tek betimi i asamblistëve.
Pas betim të asamblistëve ishte momenti që të betohej edhe i pari i Prishtinës, Pëparim Rama për mandatin e tij të dytë në krye të Prishtinës.
“Unë, Përparim Rama betohem se do t’i kryej detyrat dhe do t’i ushtroj kompetencat si kryetar i Komunës së Prishtinës me nder, besnikëri, në mënyrë të paanshme me ndërgjegje dhe në pajtim me ligjin në mënyrë që të siguroj kushte për një jetë më të qetë për të gjithë”, ka thënë Rama.
Por, jo çdo gjë shkoi siç pritej, kjo pasi që Egzon Azemi nga LVV la një letër për të parin e kryeqytetit.
Atë letër e hoqi Sokol Havolli nga Lidhja Demokratike e Kosovës.
Ani pse letrat po vendoseshin nga VV, Rama doli para asamblistëve të flasë për planet e tij të ardhshme.
“E kemi për borxh të bëhemi bashkë e të punojmë, të mos projektojmë kriza artificiale, të mos krijojmë bllokada që e lodhin qytetin, por të punojmë me përgjegjësi të përbashkët për të ardhëm tonë. Ne jemi këtu në shërbim të qytetarëve na sfidoni, na kritikoni, kërkoni më shumë prej nesh, kështu bëhemi më të mirë”, ka thënë tutje Rama.
Kur këto dy pika të rendit të ditës u kryen, ishte koha për propozimin e kryesuesit të Kuvendit Komunal nga partitë politike.
Por nga partia fituese e këtyre zgjedhjeve nuk kishin kandidatë
Por pa kandidatë ishin edhe disa parti të tjera, por jo Vetëvendosje.
“Ne duke i uruar kryetarit Rama detyrën e sapo marruar e vendosëm s’di sa here edhe një urim aty tek emri i kryetarit ku shkruante “ Urime koalicioni LDK, PDK, AAK, NISMA, PSD. largojnë letrën. Nuk po ia kuptoj këtë inat Sokolit, ndoshta nga arsyeja se nuk e kanë propozuar Sokolin, kështu që për me e zbut këtë inat të Sokolit unë e propozoj Sokolin si kryesues të Kuvendit”, ka thënë Azemi.
Por këtë nuk e pranoi vet Havolli.
“Nuk mund të jem në propozim sepse nuk e pranoj atë, edhe për ndonjë pozitë ku me ditë çka me më propozuar LVV, unë nuk e pranoj”, ka thënë Havolli.
Kurse emër për kandidaten për kryesues të Kuvendit kishin edhe nga Lidhja për Prishtinën.
“Ne grupi ynë i asamblistëve e kandidojmë z.Fehmi Kupina për pozitën e kryesuesit të Kuvendit Komunal të Prishtinës”, janë shprehur nga lidhja për Prishtinës.
E kështu u hodh në votim të fshehtë vetëm një kandidatë e që ishte Fehmi Kupina.
Por jo secila parti e shfrytëzoi të drejtën e votës për kryesuesin e Kuvendit Komunal se kur radha i erdhi Lëvizjes Vetëvendosje, ata abstenuan.
Ani pse nga kjo parti nuk morën pjesë fare në votim, kryesuesi i kuvendit u zgjodh.
Ndërsa, vet asamblistëve për një fjali rasti iu drejtua edhe kryesuesi i sapozgjedhur Fehmi Kupina.
“Pranimi i detyrës së kryesuesit të Kuvendit të Prishtinës është nder i madh, por edhe përgjegjësi e jashtëzakonshme të cilin e marr me përulësi, seriozitet dhe me një ndjenjë të thellë detyrimi ndaj besimit që keni treguar. Ky besim nuk është një privilegj i thjeshtë, është një obligim që do të udhëheq me profesionalizëm, transparencë dhe paanshmëri”, ka thënë Kupina.
Fehmi Kupina kishte pasur pozitën e kryesusit edhe mandatin e kaluar.