Krasniqi: Në komunat veriore janë të vendosur flamuri dhe fotografia e Presidentes në zyra
Foto: Laura Hasani

Krasniqi: Në komunat veriore janë të vendosur flamuri dhe fotografia e Presidentes në zyra

Aktuale December 09, 2025 - 17:07

Kryetarët e komunave Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan kanë vendosur në zyrat e tyre flamurin e Republikës së Kosovës dhe fotografinë e Presidentes së vendit.

Këtë e ka bërë të ditur ministri në detyrë i Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, në një përgjigje për televizionin Tëvë1.

Sipas tij, pas inaugurimit dhe marrjes së mandatit, kryetarët e rinj kanë filluar ushtrimin e detyrave me të gjitha kompetencat që u garantohen me Kushtetutë dhe ligjet në fuqi.

Krasniqi ka theksuar se Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal është e gatshme të bashkëpunojë me ta për të garantuar ofrim më të mirë të shërbimeve për qytetarët.

“MAPL, konform mandatit të saj, ka monitoruar mbledhjet inaugurale në komunat Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan. Transferimi i pushtetit është realizuar në pajtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe legjislacionin për vetëqeverisjen lokale”, ka deklaruar Krasniqi.

Ai ka shtuar se në komunikimet zyrtare e jozyrtare është konstatuar se kryetarët tashmë e kanë vendosur nëpër zyra simbolikën shtetërore, përfshirë flamurin e Republikës së Kosovës dhe fotografinë e Presidentes.

Krasniqi ka nënvizuar se MAPL do të vazhdojë monitorimin dhe bashkëpunimin me komunat veriore me synim forcimin e funksionimit institucional dhe rritjen e cilësisë së shërbimeve për qytetarët.