Dëmtimi i varrit të Astrit Deharit, fatkeqësi natyrore apo dorë e njeriut?

Dëmtimi i varrit të Astrit Deharit, fatkeqësi natyrore apo dorë e njeriut?

Aktuale December 07, 2025 - 21:32

Varri i ish-aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, është rikthyer në gjendjen e mëparshme.

Pas disa dëmtimeve që i pësoi shtylla ku është i ngritur flamuri kombëtar, dhe një pjesë e pllakës, gjithçka është riparuar.

Organet e rendit janë duke e hetuar këtë rast, për të mësuar nëse dëmtimet u shkaktuan nga dora e njeriut, ose mbase vetëm nga kushtet atmosferike.

“Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse policore. Rasti është nën hetime nga njësitet relevante policore”, thuhet nga policia.

Familja Dehari, të përfaqësuar nga avokati Tomë Gashi, presin që rasti të ndriçohet në tërësi.

Për ngjarjen që dyshohet se ndodhi gjatë së shtunës, ka reaguar edhe Lëvizja Vetëvendosje, të cilët kërkuan që rasti të trajtohet me prioritet.

“Me keqardhje kemi marrë lajmin se është dëmtuar shtylla dhe pllaka e flamurit kombëtar pranë varrit të aktivistit tonë, Astrit Dehari. Falenderojmë të gjitha njësitë e Policisë së Kosovës për reagimin e shpejtë, ndërkaq si Lëvizje Vetëvendosje, jemi në pritje të hetimeve që njësitë e specializuara të Policisë së Kosovës po zhvillojnë në drejtim të zbardhjes së shkaqeve apo shkaktarëve të këtij dëmtimi”, është thënë nga LVV.

Astrit Dehari ishte aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje, dhe vdiq në qendrën e paraburgimit në Prizren me 5 nëntor të vitit 2016 në rrethana të dyshimta./teve1