Ish-bashkëshortja e Bedri Hazirit akuzon familjen e Lutfi Hazirit: M’u ndalua t’ia jepja lamtumirën e fundit
Dy ditë më parë, Lutfi Haziri njoftoi vdekjen e vëllait të tij, Bedri Haziri. Por vetëm ditë më parë, para se ai të vdiste, ish-bashkëshortja e të ndjerit, Ardita Hasani dhe djali i tyre e kishin denoncuar rastin në Polici, duke hedhur akuza të rënda ndaj deputetin Lutfi Haziri.
Sipas kallëzimit të tyre, ata dyshojnë se deputeti ka ndikuar drejtpërdrejt në procesin e divorcit, duke pretenduar se qëllimi ka qenë që pasuria e Bedri Hazirit, në rast vdekjeje, të kalonte tek ai, ndërsa Ardita Hasani të mos merrte hisen që i takon ligjërisht.
Ardita ka deklaruar se ish-bashkëshorti i saj është ndikuar dhe për këtë arsye kishte vendosur ta largonte nga shtëpia dhe të kërkonte divorc pas 27 vjetësh martesë.
Sot Ardita Hasani-Haziri ka publikuar një reagim në rrjetet sociale, ku thotë se asaj nuk iu lejua të mbante një fjalë lamtumire në ceremoninë mortore të ish-bashkëshortit.
Ajo e cilëson këtë si “padrejtësinë më të rëndë” në një nga ditët më të dhimbshme të jetës së saj.
“U pengova të flisja, u hesht zëri im… në një ceremoni që duhej të ishte e shenjtë, m’u mohua një e drejtë njerëzore dhe morale: t’i jap burrit tim përshëndetjen që i takonte”, shkruan ajo.

Ardita shton se edhe pse u ndalua të fliste, zëri i saj nuk do të shuhet dhe se lamtumira për të ndjerin do të jetojë përgjithmonë në zemrën e saj.
Lutfi Haziri ka reaguar pas pretendimeve të bëra nga ish-kunata dhe nipi i tij, duke i mohuar ato kategorikisht.
Në një deklaratë për Insajderin, ai ka deklaronte se nuk ka qenë i përfshirë në procesin e divorcit të vëllait dhe se për familjen, prioritet mbetej shëndeti i tij.