Reagon Shoqata e Prokurorëve, pas lajmit për anëtarin e KPK-së, Arian Gashi
Foto: Laura Hasani

Reagon Shoqata e Prokurorëve, pas lajmit për anëtarin e KPK-së, Arian Gashi

Aktuale December 02, 2025 - 18:13

Shoqata e Prokurorëve të Kosovës ka reaguar lidhur me shkrimin e publikuar në portalin “Paparaci” rreth anëtarit të KPK-së, Arian Gashi.

Shoqata e Prokurorëve të Kosovës shpreh shqetësimin e saj të thellë lidhur me shkrimin e publikuar nga portali “Paparaci”, shkrim ky që përmban interpretime që ndërthurin çështje politike me veprimtarinë profesionale të një prokurori dhe anëtari të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), z. Arian Gashi.

Ne e konsiderojmë të pabazë dhe të dëmshme qasjen që synon të krijojë perceptim se prokurorët apo familjarët e tyre janë të lidhur me politikën dhe se proceset profesionale në sistemin prokurorial ndikohen nga preferenca apo afërsi partiake. Çdo tentim i tillë i cenon rëndë integritetin institucional dhe dëmton besimin publik në pavarësinë e sistemit të drejtësisë.

Shoqata dënon politizimin e çështjeve profesionale, proceset që zhvillohen brenda Këshillit Prokurorial të Kosovës janë çështje institucionale dhe ligjore, jo politike. Shndërrimi i tyre në betejë mediatike me tone politike dëmton jo vetëm individët e përfshirë, por të gjithë sistemin prokurorial.

Mbrojtja e pavarësisë së sistemit prokurorial është themeli i shtetit të së drejtës. Shoqata e Prokurorëve të Kosovës do të mbështesë pa rezervë çdo proces institucional që synon ruajtjen e integritetit të sistemit, por po ashtu do të reagojë edhe çdo herë kur tentimet për cenimin e kësaj pavarësie vijnë përmes raportimeve të njëanshme apo me motive politike. /Zëri