Pjesëtari i FSK-së në ndalim policor pasi theri me thikë të fejuarën në Fushë-Kosovë
Policia e Kosovës të dielën raportoi për një rast të rëndë që ka ndodhur më 29 nëntor në Fushë Kosovë.
Atje u arrestua një i dyshuar i cili e e kishte therrur me thikë të fejuarën e tij.
Nacionale ka mësuar se i dyshuari për sulm ndaj të fejuarës e cila është në gjendje kritike, është pjesëtar i Forcës dhe Sigurisë së Kosovës.
Lajmin për Nacionalen më pas e ka konfirmuar vetë FSK-ja. Këta të fundit kanë bërë të ditur se janë njoftuar për ngjarjen, dhe do të ndërmarrin të gjitha veprimet bazuar në rregulloret në fuqi.
“Ju njoftojmë se personi në fjalë është pjesëtarë i FSK-së, dhe ndodhet në ndalim policor, FSK është njoftuar për rastin dhe do të ndërmarr masat bazuar në aktet ligjore dhe rregulloret në fuqi”, thuhet në përgjigjen e FSK-së për Nacionalen.
Policia e Kosovës në raportin 24-orësh të së dielës, tregoi detaje për këtë ngjarje.
“Fushë Kosovë / 29.11.2025-07:45. Njësitet policore pas pranimit të informatës lidhur me rastin, kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë takuar viktimën f/k, e cila dyshohet se kishte pësuar lëndime me mjete të mprehta. Viktima pas tretmanit fillestar mjekësor në QKMF, është dërguar në QKUK dhe i është nënshtruar operimit për shkak të gjendjes kritike të saj. Lidhur me rastin është arrestuar i dyshuari m/k-i fejuari i saj me të cilin ishte duke bashkëjetuar, nën dyshimin se i njëjti është i përfshirë në rast”, njoftoi Policia e Kosovës.
Ditën e djeshme, Prokuroria Themelore në Prishtinë bëri të ditur se ka kërkuar masën e paraburgimit për të dyshuarin.
“Ju njoftojmë se Prokurori i Shtetit është duke ndërmarrë të gjitha masat dhe veprimet e nevojshme hetimore ndaj personit i cili dyshohet se ka sulmuar të fejuarën e tij dhe për të cilin ekziston dyshimi se ka kryer veprën penale ”Vrasje e rëndë në tentativë”, në bazë të nenit 173 lidhur me nenin 28 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Gjithashtu, Prokurori i Shtetit, brenda afatit ligjor, ka paraqitur kërkesën në gjykatën kompetente për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit”, thuhet në përgjigjen e prokurorisë.
QKUK-ja bëri të ditur dje se viktima është në Mjekim Intensiv, pasi nga Policia u tha se ndodhet në gjendje kritike.
Detaje të tjera për këtë rast ende nuk dihen, megjithatë Prokuroria e Policia po i vazhdojnë hetimet.