Xhelal Sveçla me video nga veriu: Po mbyllim rrugët e kontrabandës, po hapim shtigje të sigurisë

Xhelal Sveçla me video nga veriu: Po mbyllim rrugët e kontrabandës, po hapim shtigje të sigurisë

Aktuale December 02, 2025 - 15:14

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka theksuar se institucionet e sigurisë në vend po vazhdojnë punën në veri me dy prioritete të qarta: ndërprerjen e kontrabandës dhe forcimin e rendit e sigurisë për qytetarët.

Në një video në Facebook, ku shihen duke u kryer punime në një rrugë në veri, Sveçla tha se ndërsa po mbyllen kanalet ilegale të kontrabandës dhe lëvizjet e individëve ekstremistë, paralelisht po hapen rrugë të reja që lehtësojnë qarkullimin dhe ndërveprimin e qytetarëve me institucionet.

Sipas tij, këto veprime synojnë rritjen e sigurisë, mbrojtjen e kufijve dhe krijimin e një ambienti më të qëndrueshëm për komunitetin lokal.

“Përderisa po mbyllim rrugët e kontrabandës dhe inkurzioneve të terroristëve dhe ekstremistëve në veri, në të njëjtën kohë po hapim shtigje të reja për qytetarët tanë e institucionet e rendit, për shtimin e sigurisë dhe për mbrojtjen e kufijve tanë”, është shprehur ai.

Veprimet e fundit në veri janë pjesë e një strategjie më të gjerë të qeverisë për të rritur kontrollin dhe për të siguruar rend e ligjshmëri në çdo pjesë të territorit të Kosovës. /Zëri