Pa rivalë të fortë, Lista Serbe drejt “fitores së sigurt”
Foto: Laura Hasani

Pa rivalë të fortë, Lista Serbe drejt “fitores së sigurt”

Aktuale December 02, 2025 - 14:56

Mungesa e bashkëpunimit mes partive opozitare serbe dhe iniciativave qytetare në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare i jep mundësi Listës Serbe - partisë më të madhe të serbëve në Kosovë - të fitojë sërish pa konkurrentë të fortë, vlerëson për Radion Evropa e Lirë Zoran Saviq, nga organizata joqeveritare Aktiv në Mitrovicë të Veriut.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme do të mbahen më 28 dhjetor, pasi Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit, e cila fitoi në zgjedhjet e 9 shkurtit, nuk arriti të formojë Qeverinë e re të Kosovës.

Ditëve të fundit ka pasur disa përpjekje për bashkim mes subjekteve serbe, me qëllim që të kundërshtonin politikën e pushtetit në Prishtinë dhe në Beograd, dhe për t’u bërë alternativë ndaj Listës Serbe, e cila ka mbështetjen e Beogradit, si dhe ndaj Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë të Nenad Rashiqit, ish-ministër në Qeverinë e Kurtit.

Megjithatë, këto bisedime kanë dështuar.

Për rrjedhojë, në zgjedhje do të marrin pjesë: Lista Serbe, Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë dhe Lidhja Kosovare - parti e formuar në qershor të këtij viti me mbështetjen e deputetit në Kuvendin e Serbisë, Zharko Ristiq.

Politologu nga Beogradi, Ognjen Gogiq, shpjegon se përfaqësuesit politikë të serbëve në zgjedhjet e shkurtit dhe në ato lokale të tetorit kanë shkuar të ndarë në shumë kolona - gjë që i ka dobësuar subjektet më të vogla.

“Komuniteti serb është i vogël dhe nuk ka nevojë për kaq shumë aktorë politikë. Pyetja është: përse nuk u bashkuan edhe atëherë, për zgjedhjet parlamentare dhe lokale... Tani nuk kanë as burime, as energji për të shkuar përsëri në zgjedhje”, thotë Gogiq për Radion Evropa e Lirë.

Në zgjedhjet e 9 shkurtit, Lista Serbe fitoi nëntë nga dhjetë vendet e rezervuara për komunitetin serb në Kuvendin e Kosovës, ndërsa një vend e siguroi Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë e Rashiqit.

Në zgjedhjet lokale, që u zhvilluan më 12 tetor dhe rrethi i dytë më 9 nëntor, Lista Serbe fitoi pushtetin në të dhjetë komunat me shumicë serbe, ndërsa partitë e tjera ose iniciativat qytetare arritën të merrnin disa vende në këshillat komunalë.

Pse dështuan bisedimet e opozitës serbe për bashkim?

Partitë dhe iniciativat qytetare që përfaqësojnë komunitetin serb në pjesë të ndryshme të Kosovës, njoftuan se bisedimet për një paraqitje të përbashkët në zgjedhjet e ardhshme kanë dështuar.

Përgjegjësinë, shumica e palëve e hodhën te të tjerët, duke theksuar se ato vetë kanë qenë konstruktive dhe të gatshme për kompromis.

Lidhja Kosovare e Goran Marinkoviqit tha se gjatë takimit në Mitrovicë të Veriut u diskutua për krijimin e një koalicioni më të gjerë të partive opozitare serbe, por rezultoi se vetëm kjo parti kishte qëllime të sinqerta.

“Përfaqësuesit e partive të tjera duket se ishin më shumë të fokusuar te pozicionimi i tyre personal në listën zgjedhore sesa tek interesi i përbashkët”, u tha në njoftim.

Partia Demokracia Serbe e Aleksandar Arsenijeviqit deklaroi se kanë bërë shumë lëshime gjatë bisedimeve për paraqitjen e përbashkët, por se nuk kanë mundur t’i tejkalojnë vijat e tyre të kuqe.

“Na është kërkuar që kryetari ynë, i cili është i dëbuar, të përjashtohet plotësisht nga lista zgjedhore dhe nga jeta politike”, u tha në njoftimin e kësaj partie.

Arsenijeviq nuk ndodhet në Kosovë, pasi është shpallur në kërkim që nga qershori i këtij viti, kur Policia e Kosovës ka gjetur armë në pronën e tij.

Ai ka mohuar se armët kanë qenë të tijat dhe ka deklaruar se autoritetet kosovare kanë “montuar” gjithçka për ta larguar nga Kosova.

Lëvizja Popullore Serbe e Millija Bishevacit tha se ka mbështetur bashkimin, por se nuk është arritur kompromis.

“Lëvizja Popullore Serbe do të punojë në forcimin e strukturës së vet, në bashkimin e të gjithë faktorëve realisht opozitarë në Kosovë dhe në krijimin e një fronti të vetëm që do të veprojë në interes të popullit tonë”, thanë nga kjo parti.

A ka alternativë ndaj Listës Serbe?

Gogiq vë në dukje se subjektet më të vogla politike, si ato të komunitetit serb, nuk kanë kapacitet të dalin shpesh në zgjedhje.

Sipas tij, në zgjedhjet e ardhshme, rivale e vetme e madhe e Listës Serbe do të jetë partia e Rashiqit.

“Megjithatë, zgjedhjet e mëparshme parlamentare dhe lokale kanë treguar se brenda komunitetit serb ekziston një bërthamë opozitare, si mes subjekteve, ashtu edhe mes votuesve. Pra, ka mijëra serbë që kërkojnë alternativë, por problemi është se ajo nuk është formuar në mënyrë të qartë”, thotë Gogiq.

“Ata kanë dalë në zgjedhjet e mëparshme në kolona të ndryshme dhe kështu i kanë shpërndarë votat, ndërsa këtë cikël zgjedhor e presin duke mos dalë fare”, shton ai.

Sipas Gogiqit, brenda komunitetit serb ekziston hapësirë dhe nevojë për një alternativë, që të veprojë si opozitë ndaj Listës Serbe dhe partisë së Rashiqit.

“Pra, ka nevojë për një rrugë të tretë, por problemi është se aktorët politikë nuk arrijnë ta artikulojnë këtë nevojë në mënyrë të duhur”, thekson ai.

Sipas Saviqit, atmosfera aktuale politike ofronte një mundësi të rrallë për aktorët opozitarë serbë që të bashkoheshin dhe të sfidonin seriozisht Listën Serbe.

“Një paraqitje e bashkuar do të rriste pothuajse sigurt ndikimin e tyre te votuesit, sidomos te qytetarët që kërkojnë alternativë ndaj monopolit politik ekzistues”, thotë ai.

Saviq shton se aktorët politikë kanë pranuar tashmë se konfliktet dhe ndasitë e brendshme kanë qenë dominuese, duke ia dhënë Listës Serbe mundësinë që të fitojë sërish në mënyrë gati absolute.

“I vetmi përjashtim kohëve të fundit ka qenë partia e Rashiqit, e cila në zgjedhjet e shkurtit ka arritur të marrë një vend në Kuvend, por kjo parti ka pasur edhe mbështetjen e Qeverisë së Kosovës. Personalisht, nuk pres ndryshime të mëdha në numrat e mandateve, në krahasim me zgjedhjet e shkurtit - as në totalin e vendeve, as në dominimin e Listës Serbe”, thotë Saviq.

Dominimi shumëvjeçar i Listës Serbe

Që nga themelimi i saj në vitin 2013, Lista Serbe ka marrë gjithmonë më shumë vota nga komuniteti serb - në të gjitha zgjedhjet ku ka marrë pjesë.

Saviq thotë se ky dominim buron nga mbështetja e Beogradit, i cili, sipas tij, nuk i sheh ose i diskrediton partitë dhe iniciativat e tjera serbe në Kosovë.

Ai kujton se një numër i madh serbësh në Kosovë, që përbëjnë bazën zgjedhore të Listës Serbe, marrin të ardhura nga buxheti i Qeverisë së Serbisë dhe shpesh kushtëzohen në mënyra të ndryshme.

“Problemi kryesor është se komuniteti serb në Kosovë nuk ka ende mundësi të zgjedhë mes opsioneve reale, të ndryshme në përmbajtje, por merr pjesë vetëm formalisht në zgjedhje. Për ta ndryshuar këtë, duhet krijuar një ambient ku qytetarët kanë zgjedhje reale, jo vetëm formale”, thotë Saviq.

Përndryshe, ka disa raste individësh që kanë bërë fushatë kundër Listës Serbe në zgjedhje dhe kanë mbetur pa të ardhurat e tyre nga Serbia.

Një prej tyre është Sllobodan Rashkoviq nga Zubin Potoku, i cili i ka thënë Radios Evropa e Lirë se i janë ndërprerë të ardhurat, sepse nuk e ka mbështetur politikën e Listës Serbe.

Po ashtu, gruaja e tij, Bojana, ka qenë kandidate e Lidhjes së Kosovës për këshilltare në Kuvendin e Komunës së Zubin Potokut në zgjedhjet e fundit lokale.