Ukë Rugova, kandidat i LDK-së për deputet
Lumir Abdixhiku ka prezantuar Ukë Rugovën, djalin e ish-presidentit Ibrahim Rugova, si kandidat për deputet në zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Abdixhiku tha se sot, në ditëlindjen e Presidentit Rugova, “pranova me nderimin më të madh kërkesën e Familjes Rugova që Ukë Ibrahim Rugova të jetë pjesë e listës sonë zgjedhore”, transmeton Zeri.info.
Abdixhiku shkruan në Facebook:
Në ditëlindjen e Presidentit Rugova, pranova me nderimin më të madh kërkesën e Familjes Rugova që Ukë Ibrahim Rugova të jetë pjesë e listës sonë zgjedhore.
Sot, në 81-vjetorin e lindjes së arkitektit dhe prijësit tonë, vizitova zonjën Fana dhe Familjen Rugova. Në këtë vizitë zyrtarizuam dhe përfshirjen e Ukës në garën e radhës.
Ukë, të priftë e mbara në këtë garë.
Me zonjën Fana biseduam edhe për rrugën e filluar tre dekada më parë; për sakrificat e heshtura që e ndoqën; për vendosmërinë që nuk u thye asnjëherë, edhe kur Kosova ishte në udhëkryqin më të rrezikshëm të historisë së saj moderne. Dhe sot, kur shteti ynë përballet me sfida të reja, mesazhi i Rugovës mbetet po ai: forcë paqësore, përkushtim demokratik, orientim të pandryshuar drejt botës perëndimore.
Presidenti ka vetëm ditëlindje.
81 vite më parë, më 2 dhjetor 1944, lindi Ibrahim Rugova; njeriu që e ktheu ëndrrën e lirisë në projekt politik, që e ndërtoi shtetin e përjetshëm që kemi, dhe që e vendosi Kosovën në hartën e botës si çështje të drejtë, të arsyeshme e të domosdoshme.
Ai nuk ishte produkt i kohës së vet; ai ishte përpara kohës së vet.
Rugova lindi në një familje të përndjekur; i mbijetoi dhimbjes së hershme, humbjes së babait dhe gjyshit, represionit e varfërisë. Por nga ai sfond i rëndë doli njeriu më i qetë, më i butë dhe njëkohësisht më i pathyeshmi që kanë njohur shqiptarët në shekullin e fundit.
Nisi si studiues e intelektual. Shkolla e Istogut, e Pejës, doktoratura në Prishtinë, bashkë me studimet në Paris nën mbikëqyrjen e Roland Barthes - nuk i dhanë vetëm tituj akademikë, por formësuan mendjen që më vonë do ta projektonte Kosovën drejt Perëndimit në mënyrën më të pastër dhe më të guximshme.
Kur u bë thirrja e madhe e vitit ’89, ai e la letërsinë për t’u bërë mburojë e një kombi.
Nga aty lindi LDK-ja.
Dhe nga LDK-ja, lindi rruga e shtetformimit modern shqiptar në Kosovë.
Rruga e tij nuk ishte vetëm politikë. Ishte civilizim. Ishte mënyrë europiane e të menduarit. Ishte kulturë, edukim, diplomaci e urtësi. Ishte projekti i një Kosove që sot e gëzojmë të gjithë.
Sot, pas më shumë se tetë dekadave nga lindja e tij, ideja e Rugovës veçse po rritet. Sa herë Kosova kalon kriza, është qetësia e tij që kërkojmë. Sa herë humbasim orientim, është busulla e tij perëndimore që na rikthen në drejtim. Sa herë politika bie në zhurmë, është zëri i tij që na rikujton se shteti ndërtohet me dije, me argument dhe me durim.
Kjo është arsyeja pse Rugova ka vetëm ditëlindje.
Sepse drita e tij nuk fiket; historia e tij nuk harrohet; rruga e tij nuk tjetërsohet.
Në këtë ditëlindje, ne kujtojmë jo vetëm shqiprarin më të madh të kohërave; kujtojmë një drejtim, një projekt, një ëndërr. Kjo ëndërr na thërret edhe sot.
Kosova euroatlantike.
Kosova e paqes e stabilitetit
Kosova e miqësisë së përhershme me aleat.
Kosova e qytetarisë, dinjitetit dhe kulturës politike.
Kjo është trashëgimia e tij.
Dhe ky është zotimi ynë.
I paharruar përjetë, President.