Haziri: Kosova ka nevojë për dashni, ka nevojë për LDK-në
Ish-deputeti i LDK-së, Lutfi Haziri, ka thënë se Kosova sot nuk është më e pavarur, as më e lirë e as më demokratike, pa çka thekson se Kosova ka nevojë për LDK-në si kurrë më parë.
“Ne kemi shkaktu procese e kemi realizu andrra, koha që populli t’ia kthej krejt dashninë LDK-së. Me unitet të plotë, kemi nderin që e nominuam për Kryeministër kryetarin tonë, Dr. Lumir Abdxhikun, që do të përkthehet me unitet qytetar në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 28 dhjetorit. E filluam vitin me zgjedhje e po rikthehemi prapë në Zgjedhje Parlamentare. Nëse kërkohet arsyeja e shëndosh, përse?! Është e thjeshtë. Mungoi bashkëpunimi e vullneti dhe vendi u bllokua në një krizë politike të planifikuar e të menaxhuar. Kosova sot as nuk është më e pavarur, as më e lirë e as më demokratike. Është pa Kuvend, pa qeveri dhe shpejt edhe pa buxhet shteti, me një krizë të re”, shkroi Haziri në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook.
Ai thekson se më 28 dhjetor është mundësia që të ecet tutje e t’u kthehemi familjes, atdheut e Zotit.
“Është mundësia që më 28 dhjetor të mos ecim edhe tutje nëpër terr politik, por t’i kthehemi familjes, atdheut e Zotit. Për një vend ku jetohet më mirë, për familjen e Kosovën, me besë e shpresë që e ofron veç LDK. Ne kemi shkaktu procese e kemi realizu andrra dhe koha është që populli t’ia kthej krejt dashninë LDK-së. Kosova ka nevojë për dashni. Kosova ka nevojë për LDK-në si asnjëherë më parë!”, shkroi ai.