Gjykata Kushtetuese shqyrton sot çështjen e Belinda Ballukut
Këtë të martë, Kolegji i Gjykatës Kushtetuese së Shqipërisë do të mblidhet për të shqyrtuar padinë e bërë nga kryeministri Edi Rama dhe Këshilli i Ministrave për konfliktin e kompetencave mes ekzekutivit dhe Gjykatës së Posaçme AntiKorrupsion për pezullimin e zëvendëskryeministres dhe njëherësh ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.
Numri dy i kabinetit u mor e pandehur më 30 tetor, e akuzuar për “shkelje të barazisë në tendera”, lidhur me tunelin e Llogarasë, ndërsa më 20 nëntor me vendim të gjyqtarit të GJKKO-së, Erjon Çela, ajo u pezullua nga detyra në sajë të hetimeve për tenderin e Unazës së Madhe.
Më 22 nëntor, GJKKO verifikoi masat e sigurisë “pezullim nga detyra” dhe “ndalim i daljes jashtë vendit” për Ballukun, raporton TvKlan.
Masa e “arrestit në shtëpi” u caktua për kreun e ARRSH-së Gentian Gjyli dhe administratorin e KESH, Erald Elezi, pas hetimeve të kryera për Unazën, specifikisht lotin e katërt të saj.