GGK: Kosova po shpyllëzohet - komunat më të prekura janë Prishtina, Gjakova, Peja dhe Podujeva
Grupi i Kosovës për Sisteme Gjeografike të Informacionit (GGK – GIS Group of Kosovo) ka publikuar të dhënat më të fundit lidhur me ndryshimet në sipërfaqet pyjore në Kosovë për periudhën 2000–2023, duke u bazuar në analizat e Hansen Global Forest Change.
Sipas raportit, vendi ka pësuar humbje të konsiderueshme të pyjeve në dy dekadat e fundit. Të dhënat tregojnë se nga viti 2001 deri në vitin 2023, në Kosovë janë humbur 152 kilometra katrorë pyje, ndërsa në të njëjtën periudhë janë regjistruar vetëm 56 kilometra katrorë sipërfaqe të re pyjore.
GGK-ja bën të ditur se komunat më të prekura nga shpyllëzimi janë Prishtina, Gjakova, Peja dhe Podujeva, zona ku ndikimi në biodiversitet, në ekosistemet pyjore dhe në klimën lokale është më i theksuar.
Në njoftim theksohet se këto të dhëna ngrenë alarmin për nevojën urgjente të projekteve për ripyllëzimin dhe menaxhimin e qëndrueshëm të pyjeve, si një parakusht për mbrojtjen e natyrës dhe aleancave klimatike në vend.
GGK-ja apelon për më shumë angazhim institucional dhe shoqëror në ruajtjen e pasurisë pyjore, duke e cilësuar atë si një ndër resurset më të rëndësishme natyrore të Kosovës.