Abdixhiku kujton Xhemail Mustafën: Ideali i tij mbetet gurëthemel i Republikës!

Abdixhiku kujton Xhemail Mustafën: Ideali i tij mbetet gurëthemel i Republikës!

Aktuale November 23, 2025 - 11:40

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka përkujtuar Xhemail Mustafën, në 25-vjetorin e vrasjes së tij.

Abdixhiku tha se nëntori, muaj i festave kombëtare, mbetet edhe muaj i dhembjes për familjen Mustafa, LDK-në dhe gjithë vendin.

Ai përmes një postimi në Facebook, kujtoi 23 nëntorin e vitit 2000, ditën kur Mustafa u vra para banesës së familjes, duke e cilësuar këtë akt si një hallkë të re në zinxhirin e atentateve ndaj intelektualëve shqiptarë.

“Xhema ishte fjalëpaku, punëtori i palodhur, njeriu i përkushtuar ndaj çështjes kombëtare. Si ideator, themelues dhe veprimtar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ai qëndroi përkrah Presidentit Historik Dr. Ibrahim Rugova në vitet më të vështira të shtetformimit. Jeta dhe vepra e tij dëshmojnë një rrugëtim të mbushur me mund, sakrificë e përkushtim të pakompromis”, shkroi kreu i LDK-së.

Abdixhiku vlerësoi edhe punën e tij si gazetar publicist e shkrimtar duke e konsideruar si një zë kumbues të së vërtetës mbi luftën në Kosovë.

“Si gazetar, publicist e shkrimtar, arma e tij më e fortë ishte pena e cila mbeti besnike ndaj tij edhe pas vdekjes. Përmes librave e shkrimeve të shumta, ai na kthen në vitet më të errëta të ekzistencës sonë kombëtare. Vepra “Një lutje për Prishtinën” është pasqyrë e gjallë e realitetit të Kosovës së vitit 1999.

Xhemail Mustafa ishte zëri kumbues i së vërtetës për luftën në Kosovë, një zë që jehonte deri në qendrat më të mëdha ndërkombëtare. Edhe pse fizikisht u shua, ideali i tij, kontributi atdhetar, mendimi i tij publicistik e krijimtaria poetike mbeten përjetësisht gurëthemel i Republikës sonë.

Nëntori i festave u bë i pamëshirshëm për ne me humbjen e ikonës së LDK-së. Dhimbja rritet çdo ditë që zbardhja e këtij krimi mungon. Ata që s’e deshën lirinë e Kosovës, nuk e deshën as Xhemën. Detyrim i yni është gjetja e autorëve të këtij krimi, për Xhemën dhe për Kosovën.

I përjetshëm qoftë kujtimi për veprimtarin e shquar, Xhemail Mustafa”, thuhet në shkrimin e postuar nga LDK-ja.

Sakaq, nesër nga ora 12:00, në ish-objektin e Gërmisë (pranë sheshit Skenderbeu), organizohet Akademi Përkujtimore për Mustafën.