Shaqir Totaj krijon shtab emergjent, pas reshjeve të shiut
Kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, ka njoftuar se ka aktivizuar Shtabin Emergjent në Komunën e Prizrenit.
Totaj, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka bërë të ditur se ky vendim vjen pas reshjeve të mëdha të shiut, raporton Zeri.nfo.
“Bazuar në vazhdimësinë e reshjeve të shiut në territorin e Komunës së Prizrenit, sot kam marrë vendim për themelimin e Shtabit Emergjent, me qëllim të garantimit të gatishmërisë së plotë ndaj situatës së krijuar”, shkroi Totaj.
Ai ka thënë se ky shtab do të jetë i angazhuar 24 orë dhe do të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për parandalimin e pasojave që mund të shkaktohen nga reshjet e dendura atmosferike.
“Apelojmë për kujdes të shtuar, veçanërisht në komunikacion dhe ju lutemi që në çdo rast urgjence të kontaktoni numrat e mëposhtëm:
112 – Linja e Emergjencës
194 – Ndihma e Shpejtë
192 – Policia
193 – Zjarrfikësit
0800 791 99 – KEDS.
Qëndroni të sigurt dhe të informuar!”, shkroi Totaj.
