Paralajmërohen vërshime në Kosovë
Foto: Laura Hasani

Paralajmërohen vërshime në Kosovë

Aktuale November 17, 2025 - 09:40

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) ka njoftuar se gjatë ditëve në vijim vendi do të përballet me vërshime, shkruan Zeri.info.

Sipas IHMK-së, këto reshje, që do të sjellin vërshime, do të pritet të jenë të martën dhe të mërkurën.

“Duke u bazuar në të dhënat, modelet dhe vrojtimet e kushteve të përgjithshme hidrometeorologjike në vend dhe rajon, parashihet që gjatë datave 18–19/11/2025 në vendin tonë të ketë reshje shiu, të cilat në disa zona pritet të jenë të intensitetit të lartë. Këto reshje mund të shkaktojnë vërshime të shpejta në disa lokalitete”, thuhet në njoftimin e IHMK-së.

Po ashtu, IHMK-ja thotë se më së shumti nga këto reshje do të preken Drini i Bardhë, Bistrica e Prizrenit, Mirusha, Toplluha, Ereniku, Bistrica e Deçanit, si dhe disa pjesë që kanë rrjedha malore.

“Reshjet e shiut, të cilat pritet të fillojnë gjatë orëve të mbrëmjes, datë 17.11.2025, fillimisht në pjesën perëndimore të vendit, gradualisht do të përfshinë tërë Kosovën, të cilat do të karakterizohen me intensitet mesatar dhe lokalisht intensive. Zonat e kullimit të prekur nga reshjet më intensive të parashikuara dhe përmbytjet e mundshme të menjëhershme, parashihet të jenë rrjedha e mesme dhe e poshtme e Drinit të Bardhë, Bistrica e Prizrenit, Mirusha, Toplluha, Ereniku, Bistrica e Deçanit dhe disa rrjedhat me karakter malor”, njofton IHMK-ja. /Zëri