Qeveri “Konjufca” apo zgjedhje të reja? Nga Nisma tregojnë nëse kanë pasur takim
Pas emërimit të Glauk Konjufcës si mandatar për formimin e qeverisë nga Presidentja e Kosovës, po afrohet përfundimi i afatit kushtetues prej 15 ditësh për thirrjen e seancës së Kuvendit për votimin e kabinetit të ri qeverisës.
Afati përfundon të mërkurën, ndërsa deri më tani nuk është bërë e ditur nëse do të ftohet një seancë për votimin e qeverisë, gjë që krijon pasiguri mbi të ardhmen e procesit politik.
Situata ka ngjallur reagime nga partitë politike, duke përfshirë Nisma Socialdemokrate.
Albert Maxhuni nga ky subjekt në një prononcim për Telegrafin, ka theksuar se kryetari i kësaj partie Fatmir Limaj, nuk është ftuar në ndonjë takim nga mandatari Glauk Konjufca për të diskutuar rreth formimit të qeverisë.
Ai tha se Nisma ka bërë të qartë qëndrimin e saj që vendi duhet të shkojë në zgjedhje.
"Nuk jemi ftuar, ne e kemi bërë të qartë qëndrimin tonë me kohë: është koha me shku në zgjedhje. Ka pas dakordim edhe në takim me presidenten nga të gjitha subjektet politike shqiptare, përveç LVV-së e cila ka kërkuar kohë, por nuk ka pasur vullnet nga subjektet tjera politike për me pas mandatar të dytë dhe mendoj se nuk është dashur me pas mandatar të dytë fare për shkak se nuk ka shumicë”, tha Maxhuni.
Sa i përket mundësisë së thirrjes së seancës së Kuvendit këto ditë, Maxhuni tha se nuk kanë marrë ende ftesë nga administrata e Kuvendit.
“ Siç e dini, të mërkurën përfundon koha e përcaktuar për seancë, nuk kemi marrë ftesë ende nga administrata e Kuvendit, kështu që mbetet të shihet çfarë do të ndodhë këto ditë", u shpreh ai.
Ndryshe, e vetmja parti që tha se është kontaktuar në këtë fazë nga Vetëvendosja, ishte Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, një përpjekje kjo për të koordinuar takime lidhur me votimin e qeverisë.
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, tha se ka refuzuar t'i takojë zyrtarët e Vetëvendosjes, sikundër që do të refuzonte edhe nëse do të merrte propozime konkrete për bashkëpunim në qeverisje.
Haradinaj konsideron se "zgjedhjet e parakohshme janë rrugëdalja e vetme nga ngërçi politik".
Dy partitë e tjera, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), thonë se nuk janë kontaktuar fare nga Vetëvendosja dhe nuk duan të bashkëpunojnë me këtë parti.
Sikundër edhe ato kanë kërkuar që vendi të shkojë në zgjedhje të reja.
Marrë parasysh këto deklarata, procesi politik mbetet i paqartë. Tani mbetet të shihet nëse Kuvendi do të thërrasë seancën e votimit brenda afatit kushtetues, ose nëse vendi do të përballet me zgjedhje të reja.