Avokatët: Protestat dëshmojnë mbështetje për ish-krerët e UÇK-së
Protestat në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po vazhdojnë të zhvillohen paralelisht me procesin gjyqësor në Dhomat e Specializuara në Hagë. Dy avokatë, Skënder Musa dhe Ardian Bajraktari, thonë se këto protesta po dëshmojnë pakënaqësi të gjerë qytetare me mënyrën se si po zhvillohet ky proces dhe se opinioni publik është gjithnjë e më i bindur se bëhet fjalë për një padrejtësi.
Pas Prishtinës, Hagës e Tiranës, protesta në mbrojtje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e katërta me radhë, është mbajtur në Strasburg të Francës, para Asamblesë së Përgjithshme të Këshillit të Evropës.
Avokati Skënder Musa vlerëson se protestat janë një kundërpërgjigje ndaj deklarimeve të kryetares së Speciales, e cila kishte thënë se qytetarët e Kosovës e mbështesin këtë gjykatë, e po ashtu ato tregojnë qartë se qytetarët e Kosovës janë të bindur në pafajësinë e ish-krerëve të UÇK-së.
“Në fakt qytetarët e Kosovës e kanë humbur besimin nga Gjykata Speciale, duke i parë veprimet e prokurorëve dhe anëtarëve të trupit gjykues dhe kryetarit të trupit gjykues, që shpeshherë janë treguar si me qenë prokurorë dhe jo arbitër të pavarur objektiv. Në këtë drejtim besoj që edhe te trupi gjykues dhe vetë prokurorët krijojnë situata të tjera në realitet, sepse këto protesta dëshmojnë se qytetarët e Republikës së Kosovës nuk janë kundër krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, besojnë në pafajësinë e tyre, sepse janë të vetëdijshëm dhe të sigurtë që ata nuk kanë marrë pjesë në kryerjen e asnjë krimi për çka akuzohen. Ndërkaq, sa i përket aspektit formal e juridik, protestat nuk kanë peshë për shkak se nuk janë provë në procedurën penale”, tha Skënder Musa, avokat.
Avokati Ardian Bajraktari vlerëson se gjykata e Specializuar ka devijuar nga ideja fillestare për të cilën ishte kërkuar themelimi i saj. Ai e quan procesin që po zhvillohet në Hagë si të stërzgjatur, me shkelje të shumta, dhe thekson se tashmë opinioni mbarëkombëtar është i bindur se ndaj ish-krerëve të UÇK-së po bëhet padrejtësi.
“Në këtë drejtim e shoh rolin dhe angazhimin e këtyre protestave, që në instancë të fundit po dëshmohet që populli është gjithnjë e më shumë në vlerësim të vlerave të luftës dhe ish-krerëve të saj, dhe është tashmë i bindur se ajo çfarë po ndodh atje është një padrejtësi e madhe, që po u bëhet jo vetëm ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por edhe luftës sonë për liri në përgjithësi”, tha Ardian Bajraktari, avokat.
Kjo dhe protestat tjera, në Prishtinë, Hagë e Tiranë, janë organizuar në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, të cilët po mbahen në paraburgim në Hagë tash e pesë vite. /rtk