Osmani kërkon formimin urgjent të Komisionit për Buxhet për pagat në RTK
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka dërguar një letër Kryetarit të Kuvendit, Dimal Basha, për të adresuar vonesat në pagesat e mbi 700 punëtorëve të Radio Televizionit të Kosovës, si pasojë e mosformimit të Komisionit për Buxhet dhe Financa në legjislaturën e re.
Në letër, Osmani njofton se mbi 700 punëtorë të RTK-së kanë mbetur pa paga për shkak të mosformimit të Komisionit për Buxhet dhe Financa në legjislaturën e re të Kuvendit.
Sipas Ligjit Nr. 08/L-332 për vitin 2025, vetëm ky komision ka kompetencën për të miratuar alokimin dhe transferimin e mjeteve financiare për RTK-në. Mungesa e këtij komisioni ka bllokuar procedimin e fondeve, duke krijuar një situatë të rëndë sociale për familjet e punëtorëve.
Për këtë arsye, Presidentja bën thirrje që grupet parlamentare të gjejnë kompromis dhe të formojnë urgjentisht komisionet e përhershme, përfshirë Komisionin për Buxhet dhe Financa, për të siguruar pagesat dhe stabilitetin institucional dhe financiar të vendit, raporton RTK.
Ajo kërkon që deputetët të ndërmarrin sa më shpejt hapat e nevojshëm për të shmangur vonesa të mëtejshme në këtë proces jetik.
Sindikata e Punëtorëve të Radio Televizionit të Kosovës (SPERTK) i është drejtuar me një letër Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ku e falënderon për vëmendjen e kushtuar situatës së rëndë financiare në të cilën ndodhet RTK-ja, por njëkohësisht thekson se hapat aktualë nuk ofrojnë zgjidhje urgjente.
Në letrën e tyre, Sindikata thekson se kriza financiare ka arritur në pikën kritike, duke theksuar se krijimi i Komisionit për Buxhet dhe Financa, i propozuar si mekanizëm për adresimin e problemit, nuk është masë që sjell zgjidhje të menjëhershme për mbi 700 punëtorët e transmetuesit publik.
Sipas SPERTK-së, edhe sikur komisioni të ishte funksional, “nuk do të ishte dashur të lejohej që situata të përshkallëzohej deri në këtë nivel”. Sindikata thekson se punëtorët janë në gjendje të rënduar sociale dhe ekonomike dhe nuk mund të presin më gjatë.
SPERTK i bën thirrje Qeverisë së Kosovës që të ndërhyjë urgjentisht, duke përdorur mekanizmat ligjorë dhe institucionalë për të bërë të mundur ekzekutimin e pagave dhe stabilizimin e situatës brenda RTK-së.
Në fund të letrës, Sindikata nënvizon se zgjidhja duhet të vijë para formimit të komisionit të përhershëm për Buxhet dhe Transfere, pasi çdo vonesë e mëtejshme vetëm e rëndon gjendjen e punëtorëve.