Musliu-Shoshi kundër idesë së Presidentes për zgjatje buxhetore: Ky është një precedent i rrezikshëm institucional
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka propozuar zgjatje buxhetore si masë të përkohshme për të shmangur krizën e mundshme të pagave për punëtorët e sektorit publik.
Osmani ka deklaruar se propozimi vjen pas mungesës së gatishmërisë nga disa parti për të proceduar me buxhetin dhe Planin e Rritjes, duke theksuar se qëllimi është mbrojtja e pagave dhe mirëqenies së qytetarëve.
“Unë propozova që të shikojmë mundësi të tjera kushtetuese që është zgjatja buxhetore që së paku deri më 31 mars 2026 qytetarët të mos përballen me situatë ku nuk kanë paga dhe mirëqenie’’, tha e para e vendit.
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu-Shoshi për Front Online, ka dalë kundër idesë së Presidentes Vjosa Osmani për zgjatje buxhetore, duke e cilësuar atë si veprim që tejkalon kompetencat kushtetuese të Presidencës.
“Ky është një veprim që tejkalon kompetencat kushtetuese të Presidentes dhe krijon precedent të rrezikshëm institucional”, ka deklaruar Musliu-Shoshi për Front Online.
Ajo ka theksuar se nuk e përkrah propozimin e Osmanit dhe se zgjidhja për situatën buxhetore duhet të kërkohet përmes institucioneve legjitime dhe procedurave të përcaktuara me Kushtetutë.
“Zgjidhja nuk gjendet në anashkalimin e Kuvendit apo në improvizime jashtë ligjit, por në respektimin e plotë të procedurave kushtetuese dhe në një qeveri që merr përgjegjësi për vendin, jo që fshihet pas krizave që vetë i ka shkaktuar”, ka shtuar deputetja e PDK-së.