Tri ligjet që po bllokojnë aplikimin final për SEPA-n, Kosova pret vendimin e Kushtetueses
Nga momenti i hyrjes në fuqi të Ligjit për Banka, për Shërbime të Pagesave dhe Ligji për Amendamentimin e Ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit, Kosova mund të bëjë aplikimin final për të qenë pjesë e SEPA-s, e cila lejon transfere bankare në euro më shpejt, me standarde të unifikuara dhe kosto dukshëm më të ulëta krahasuar me sistemet ndërkombëtare tradicionale
Mirëpo këto tri ligje edhe pse të miratuara nga Kuvendi i Kosovës aktualisht janë në Gjykatën Kushtetuese, të cilat i ka dërguar Partia Demokratike e Kosovës.
Në një përgjigje për Telegrafin nga Gjykata Kushtetuese kanë thënë se kjo lëndë është në procedurë të shqyrtimit.
"Kjo lëndë është në procedurë të shqyrtimit", thanë shkurt nga Gjykata Kushtetuese.
Ndryshe, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi tashmë kanë nisur zyrtarisht pagesat në euro përmes zonës SEPA. SEPA, që aktualisht përfshin 41 vende, duke përfshirë shtetet anëtare të BE-së, disa vende nordike dhe Mbretërinë e Bashkuar, lejon transfere bankare në euro më shpejtë, me standarde të unifikuara dhe kosto dukshëm më të ulëta krahasuar me sistemet ndërkombëtare tradicionale.
Pse Kosova nuk është pjesë e SEPA-s? Flasin nga BQK-ja
Nëse do të ishim pjesë e SEPA-s, kursimi vjetor për bizneset dhe qytetarët llogaritet të ishte diku rreth 55 milionë euro nga tarifat për transferet ndërkombëtare.
Ndryshe, nga Banka Qendrore e Kosovës kishin deklaruar për Telegrafin se BQK më 14 tetor 2024 ka realizuar fazën e para-aplikimit dhe ka dorëzuar zyrtarisht dokumentacionin përkatës pranë organit kompetent të Komisionit Evropian për këtë qëllim (DG FISMA) dhe Këshillit Evropian të Pagesave (EPC).
“Fillimisht BQK dorëzoi para-aplikacionin, i bazuar në draft-ligjet përkatëse dhe draft-rregulloret zbatuese, kurse e përditësoi atë më 20 dhjetor 2024, kur para-aplikimi u plotësua me dorëzimin e tre ligjeve në versionin e tyre përfundimtare pas miratimit nga Kuvendi i Republikës së Kosovës (Ligji 08/L-304 për Banka; Ligji 08/L-328 për Shërbime të Pagesave; dhe Ligji 08/L-333 për Amendamentimin e Ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit), së bashku me rregulloret e miratuara nga Bordi i BQK-së që bazoheshin në këto ligje.
Me para-aplikimin e përditësuar (më 20 dhjetor 2024) janë dorëzuar ligjet dhe 20 rregulloret të nxjerra nga BQK-ja në kuadër të këtij procesi për zbatimin e tyre (që hyjnë në fuqi njëkohësisht me hyrjen në fuqi të ligjeve përkatëse), si dhe i gjithë informacioni i nevojshëm lidhur me kuadrin ligjor dhe aspektet teknike, të cilat adresojnë kërkesat e përcaktuara nga EPC-ja për anëtarësim në SEPA. Ky proces ishte mbështetur nga ekspertet e Bankës Botërore, që kanë ndihmuar njësoj edhe vendet e rajonit”, thuhet në njoftim.
Tutje, bëhet e ditur se dokumentacioni i dorëzuar nga BQK-ja është pranuar nga Komisioni Evropian, të cilët, pas disa komunikimeve me shkrim dhe takime zyrtare, e kanë shqyrtuar atë dhe kanë paraqitur disa komente informale, duke bërë me dije se aplikimi final mund të bëhet vetëm pas hyrjes në fuqi të ligjeve (publikimit në Gazetën Zyrtare).
BQK-ja tutje theksoi se nga ky vlerësim preliminar, nën supozimin se ligjet hynë në fuqi e me atë edhe rregulloret përkatëse, janë dhënë sugjerime të natyrës teknike, të cilat të adresuara plotësojnë kushtin për aplikimin final, por aplikimi final varet nga hyrja në fuqi e tre ligjeve në fjalë.
Nga Banka Qendrore e Kosovës thonë se në varësi të shpalljes se ligjeve, BQK është e përgatitur të procedojë me dorëzimin e aplikacionit përfundimtar për anëtarësim në SEPA pranë EPC, duke adresuar komentet informale të pranuara në këtë fazë, dhe për rrjedhojë të pres që gjatë vitit 2026 të marr aprovimin, dhe në afatin e caktuar pas përshtatjeve teknike dhe infrastrukturore të sistemit bankar të realizohet ndërlidhja me zonën SEPA.
“Megjithëse plani konkret kohor mbetet i ndërlikuar për shkak të pasigurisë mbi kohëzgjatjen e procesit në Gjykatën Kushtetuese/epilogut të hyrjes së këtyre tre ligjeve në fuqi, megjithëse të gjitha përgatitjet u bënë në afat shumë të shkurtër, që u njoh edhe nga institucionet e Komisionit Evropian, ku qëllimi fillestar me rastin e dorëzimit të para-aplikacionit të përditësuar më 20 dhjetor 2024 ishte që procesi të përmbyllet brenda vitit 2025, siç ngjau me Shqipërinë dhe disa nga vendet e tjera.
Por, fatkeqësish komplikimet e shkaktuara nga mos publikimi i ligjeve dhe për rrjedhojë mos hyrja në fuqi, paraqiti këtë sfidë që pati ndikim direkt në rezultatin e pritur, e për të cilin u punua shumë si brenda vendit, ashtu edhe me partnerët ndërkombëtarë. Megjithatë, BQK mbetet e bindur se s'do të ketë kufizime nga ana e Bashkimit Evropian që të vazhdojmë tutje në këtë proces, sapo rrethanat ligjore të mundësojnë këtë, në afatin sa më optimal”, thuhet në përgjigjen e BQK-së.
“Meqë aktualisht, këto ligje ndodhen në shqyrtim nga Gjykata Kushtetuese në kuadër të një serë ligjesh, pavarësisht se nuk janë kontestuar asnjëra në kuptim të përmbajtjes (por procedurës parlamentare), madje edhe pse Ligji për Bankat në fakt ka qenë në lexim të dytë (duke ndjekur të gjitha hapat procedurale), aplikimi final nuk është i mundur.
Si rrjedhojë, pritja për hyrjen në fuqi të tyre mbetet një hap kyç për të mundësuar përmbylljen e aplikimit dhe vlerësimit final nga ana e DG FISMA dhe EPC”, thuhej në përgjigjen e BQK-së për Telegrafin.