Jasharaj: Inati i Qeverisë ndaj sindikatave po vazhdon edhe me punëtorët e RTK-së
Foto: Laura Hasani

Jasharaj: Inati i Qeverisë ndaj sindikatave po vazhdon edhe me punëtorët e RTK-së

Aktuale November 13, 2025 - 12:08

Në përkrahje të 700 punëtorëve të Radio Televizionit të Kosovës (RTK) ka dalë edhe Sindikata e Bashkuar e Arsimit dhe Kulturës (SBASHK), ku kryetari i saj, Rrahman Jasharaj, thotë se mosekzekutimi i pagave për këta punëtorë tregon një inat të kryeministrit dhe ministrit të Financave.

Ai, në protestën e Sindikatës së Punëtorëve, tha se ashtu siç u gjetën mjetet për studentët dhe pensionistët, njësoj do të mund të bëhej edhe për RTK-në, por që sipas tij, ata nuk duan një zgjidhje.

Jasharaj ka theksuar se të kërkosh pagën nuk është privilegj, por një lutje për të jetuar.

“Mirë që u gjetën paratë për studentët, mirë që u gjetën paratë për pensionistët. Në këtë mënyrë është dashur të gjenden mjetet edhe për RTK-në dhe 700 punëtorët e tyre. Mosgjetja e mjeteve tregon se kryeministri dhe ministri i Financave kanë diçka, atë inatin që e kanë bërë edhe ndaj nesh në sektorin shtetëror, po e bëjnë një lloj inati me qëllimin më të keq që ta thyejnë vullnetin e sindikatës dhe punëtorëve. Të kërkosh pagë nuk është privilegj, por lutje për të jetuar. Pa pagë është e vështirë të përballet një punëtor këtu me çmime kaq të larta”, deklaroi ai.