Ish-kryetari i Gjykatës së Apelit: Rozeta Hajdari rrezikon të dënohet deri në 13 vjet burg
Foto: Laura Hasani

Ish-kryetari i Gjykatës së Apelit: Rozeta Hajdari rrezikon të dënohet deri në 13 vjet burg

Aktuale November 12, 2025 - 14:20

Ish-kryetari i Gjykatës së Apelit, Hasan Shala, tha se ministrja në detyrë e tregtisë Rozeta Hajdari, rrezikon të dënohet deri në 13 vjet burgim në rast se prokuroria dëshmon se Hajdari ka kryer veprat penale si keqpërdorim i detyrës zyrtare dhe zbulimi i sekreteve shtetërore.

Shala tha se veprat për të cilat akuzohet Hajdari dhe zyrtarët e tjerë janë serioze.

“Veprat janë jashtëzakonisht serioze. Neni 414 paragrafi 2, për shkak se kemi vlerë të madhe të dëmit, sepse dëmi që dyshohet se i është shkaktuar buxhetit është 3 milionë euro parashihet dënimi deri në 10 vjet burg. Ndërsa zbulimi i sekretit shtetëror deri në 3 vjet burg. Shala gjithashtu foli edhe për mundësinë, që për rastin e njëjte të ketë aktakuzë edhe për kryeministrin në detyrë Kurti. Ka informacione se çdo gjë që u bë në këtë lëndë ka qenë i informuar edhe kryeministri. Dhe sipas informacioneve të tilla ekziston mundësia që një ditë mund të ketë aktakuzë edhe ndaj tij si bashkëpjesëmarrës në këtë vepër penale…”, tha ai.

Ndërkohë, Shala ka theksuar se të gjithë personat e përmendur në aktakuzë prezumohen si të pafajshëm deri në një vendim tjetër të gjykatës. /RTV21