Hill: Marrëveshja e Rambujesë rrëzoi pikëpamjet e Millosheviqit që shqiptarët s’bëhen bashkë për asgjë
I dërguari i SHBA-së për Kosovën në kohën e luftës, Christopher Hill, u pyet për procesin e Rambujesë. Ai tha se gjatë bisedimeve ai ishte optimist se Rambujeja do të funksiononte.
Ai tha se morën sinjale nga shtabi i përgjithshëm i UÇK-së se e përkrahnin marrëveshjen, por tregoi se kishin shqetësime se çfarë do të ndodhte në Serbi, pasi nuk e nënshkroi marrëveshjen.
“Shqiptarët u kthyen në Kosovë për të gjetur paqe, pas Rambujesë serbët u kthyen në Serbi për t’u përgatitur për luftë”, tha ai.
Kur u pyet se kush e nënshkroi marrëveshjen, Hilli tha se nuk i kujtohej.
“Ajo çfarë më kujtohet është se i gjithë delegacioni i Kosovës ishte dakord për marrëveshjen dhe ishin pozitivë për nënshkrimin në Paris. Isha shumë i kënaqur, që ata s’kishin pasur qasje të njëjtë, në atë moment ishin në një mendje, ishin bashkë”, tha ai.
Hilli u pyet nëse Italia kishte ngurruar për marrëveshjen, pasi Serbia nuk e kishte nënshkruar. Hilli tha se marrëveshja ishte mesazh për serbët se “kjo do të ndodhë dhe është mirë që të bëheni pjesë e procesit”.
Sipas tij, ky proces hodhi poshtë idenë e Sllobodan Millosheviqit që "shqiptarët nuk pajtohen për asgjë".
“Ky ishte një mesazh i kundërt me atë se çfarë po thoshte Millosheviqi. Ne, po i thoshim Milloshevqit që ai e kishe gabim se e arritëm marrëveshjen, por t'i do të bësh mirë që të mendosh se cila do të jetë lëvizja e radhës e Serbisë”, u shpreh Hilli. /rel