AGK-ja dënon gjuhën e papranueshme të Donika Gërvallës ndaj T7 dhe gazetarit Kërquku
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) e vlerëson si të papranueshëm dhe të padinjitetshëm për postin që mban, sulmin me gjuhë të ulët të zëvendëskryeministres në detyrë, Donika Gërvalla, ndaj Televizionit 7 dhe gazetarit Leonard Kërquki, autor i emisionit Pressing.
AGK-ja dënon ashpër një fjalor të tillë nga një zyrtare e lartë e shtetit, që synon të minojë punën e televizionit dhe gazetarit, në një medium ku ajo vetë ka dhënë intervistë.
AGK-ja i fton zyrtarët e Qeverisë në detyrë dhe përfaqësuesit e partisë shumicë të mandatit të kaluar që të tregohen të përmbajtur në reagimet e tyre publike, duke mos vazhduar me sulme frontale ndaj mediave.
AGK-ja dënon çdo formë dhune dhe mungesë tolerance që manifestohet në transmetimet e drejtpërdrejta të debateve politike. /Zëri