Hill: Krasniqi ishte zëdhënës, ai i bënte të ditura qëllimet e UÇK-së

Hill: Krasniqi ishte zëdhënës, ai i bënte të ditura qëllimet e UÇK-së

Aktuale November 12, 2025 - 10:21

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë për të tretën ditë po vazhdon dëshminë ish-diplomati amerikan Christopher Hill, në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, në gjykimin për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Hilli deklaroi të mërkurën se zëdhënës i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte Jakup Krasniqi, i cili i bënte të ditura qëllimet e UÇK-së, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pyetjet për Hillin në këtë seancë i ka filluar trupi gjykues, specifikisht gjyqtari Guenael Mettraux.

Dëshmitari Hill deklaroi se UÇK-ja kishte qëllime politike që synonte t’i realizonte dhe një prej tyre ishte pavarësia. Tha se ka logjikë të thuhet se për t’i realizuar këto qëllime politike, duhet të ishte dikush përgjegjës.

“Unë mendoj që zoti Krasniqi është shpallur publikisht si zëdhënës i UÇK-së. Pra, ai ishte personi që i bënte të ditura qëllimet”, tha dëshmitari.