Vuçiqit nuk i pëlqen që po i kërkohet t’i mbajë përgjegjës sulmuesit e Banjskës, përplaset me shefin e BE-së
Kreu i Zyrës së BE-së në Beograd, Andreas von Beckerath, sot ia ka dorëzuar presidentit të Serbisë, Aleksander Vuçiq, dokumentin e Raportit të Progresit, shkruan KoSSev.
Në një konferencë të mbajtur për media, zyrtari evropian ka përmendur Kosovën dhe procesin e dialogut për normalizim të raporteve me Serbinë. Beckerath ka kërkuar implementmin e marrëveshjeve të arritura në vitin 2023.
“Angazhimi konstruktiv në dialog nën patronazhin e BE-së është thelbësor. Kosova dhe Serbia duhet të zbatojnë plotësisht detyrimet që rrjedhin nga marrëveshja për normalizim dhe anekset e zbatimit nga viti 2023, si dhe ato të mëparshmet. Është e rëndësishme që kjo marrëveshje të zbatohet, sepse do të sigurojë një mjedis të qëndrueshëm dhe paqësor për stabilitetin dhe besimin rajonal”, ka thënë ai.
Zyrtari i BE-së gjithashtu ka deklaruar se Serbia duhet të sigurojë përgjegjësinë për ngjarjet në veri të Kosovës në vjeshtën e vitit 2023, konkretisht sulmin e Banjskës të kryer nga Millan Radoiçiq dhe grupi i tij.
Lidhur me kërkesën e BE-së për mbajtjen përgjegjës të autorëve të sulmit të Banjskës, ka folur Vuçiq, të cilit duket se nuk i ka pëlqyer kërkesa evropiane, transmeton Express.
Vuçiq si kundërpërgjigje ka deklaruar se pret që BE: “të ndikojë në faktin që të gjithë ata që janë përgjegjës për të gjitha ngjarjet nga viti 2008 deri në fund të vitit 2025, në të cilat u vranë, u plagosën, u arrestuan arbitrarisht serbë dhe të gjithë të tjerët, më në fund do të marrin vendimin e tyre dhe se drejtësia do të vihet në vend”.