KGJK: Raporti i Progresit vlerëson përkushtimin në sundimin e ligjit
Foto: Laura Hasani

KGJK: Raporti i Progresit vlerëson përkushtimin në sundimin e ligjit

Aktuale November 05, 2025 - 19:36

Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) ka mirëpritur publikimin e Raportit të Komisionit Evropian për Kosovën 2025, duke vlerësuar pozitivisht njohjen e përkushtimit të sistemit gjyqësor në forcimin e sundimit të ligjit dhe zbatimin e reformave të rëndësishme në drejtësi.

Në raport, Komisioni Evropian vlerëson angazhimin e KGJK-së për avancimin e transparencës, përmirësimin e performancës gjyqësore dhe zbatimin e masave për efikasitet më të madh, përfshirë miratimin e strategjive të reja për komunikim institucional, si dhe trajtimin e rasteve të korrupsionit dhe krimit të organizuar. Po ashtu, janë evidentuar përparime në zhvillimin e sistemit të vlerësimit të performancës dhe promovimin e publikimit të aktgjykimeve.

Raporti gjithashtu vlerëson pozitivisht trajtimin efektiv të ankesave nga Paneli i Ankesave dhe Parashtresave Zgjedhore (PZAP) dhe Gjykata Supreme, gjatë procesit të zgjedhjeve, duke e konsideruar këtë si një dëshmi të funksionimit të drejtë dhe të pavarur të sistemit gjyqësor.

Përmes një njoftimi KGJK thekson se gjatë periudhës raportuese ka miratuar Planin Strategjik për Komunikim në sistemin gjyqësor 2025–2027 dhe Planin Strategjik për trajtimin efikas të rasteve të korrupsionit, keqpërdorimit të detyrës zyrtare dhe krimit të organizuar 2025–2027, si pjesë e përkushtimit për forcimin e sundimit të ligjit.

Këshilli nënvizon se mbetet i përkushtuar për përmirësimin e funksioneve menaxheriale, forcimin e mekanizmave të llogaridhënies dhe garantimin e cilësisë në punën e gjykatave. Po ashtu, pavarësia dhe paanshmëria e gjyqësorit mbeten parime themelore, dhe çdo ndikim i papërshtatshëm është i papranueshëm.

Në vijim, KGJK thekson nevojën për zbatim më të qëndrueshëm të Sistemit të Informimit për Menaxhimin e Lëndëve (CMIS) dhe forcimin e zbatimit të kodit etik dhe procedurave disiplinore. Po ashtu, Këshilli konfirmon angazhimin për garantimin e transparencës dhe verifikimin e pasurisë së gjyqtarëve, në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venecias.

Në fushën e efikasitetit, KGJK thekson se janë ndërmarrë masa konkrete për përmirësimin e normës së zgjidhjes së rasteve, reduktimin e lëndëve të vjetra dhe zbatimin e digjitalizimit të proceseve gjyqësore, përfshirë përdorimin e pajisjeve audio-video në gjykata.

Në përmbyllje, Këshilli Gjyqësor i Kosovës riafirmon përkushtimin për forcimin e pavarësisë, integritetit dhe efikasitetit të sistemit gjyqësor, duke garantuar qasje të barabartë në drejtësi për të gjithë qytetarët.

“Gjetjet e raportit janë një dëshmi e progresit të arritur në drejtim të forcimit të pavarësisë, integritetit dhe llogaridhënies së gjyqësorit,” thuhet në njoftimin e KGJK-së.