AGK-ja bën thirrje të miratohet pa vonesa një ligj i ri për RTK-në
Foto: Laura Hasani

AGK-ja bën thirrje të miratohet pa vonesa një ligj i ri për RTK-në

Aktuale November 05, 2025 - 11:02

Punonjësit e Radio Televizionit të Kosovës (RTK) ende nuk e kanë marrë pagën e muajit tetor, kjo për shkak të situatës politike në vend.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka kërkuar të bëhet një zgjedhje e menjëhershme për pagat e punonjësve të RTK-së, shkruan Zeri.info.

Përmes një reagimi, AGK-ja po ashtu ka kërkuar që një qeveri dhe një kuvend i ri të miratojnë pa vonesa një ligj të ri për RTK-në.

Reagimi i plotë, pa ndërhyrje:

AGK-ja në përkrahje të punonjësve të RTK-së, kërkon zgjidhje të menjëhershme për pagat

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) qëndron në përkrahje të plotë me gazetarët, redaktorët, kameramanët, montazhierët dhe gjithë stafin e Radio Televizionit të Kosovës (RTK), para protestës të së enjtes.

AGK-ja shpreh solidaritet me punonjësit e RTK-së, të cilët sërish, brenda pak muajsh, po kërkojnë pagat që u takojnë sipas kontratave të tyre, për punën e kryer.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës shpreson se do të ketë hapësirë për funksionalizimin e plotë të Kuvendit të Kosovës, në mënyrë që komisioni përkatës ta miratojë ndarjen buxhetore për RTK-në. Nëse kjo nuk ndodh, Qeveria në detyrë e Kosovës duhet të eksplorojë të gjitha mundësitë për të bërë, në mënyrë urgjente, një alokim të ngjashëm si ai i korrikut.

RTK-ja është përballur tash e disa vjet me presion të vazhdueshëm politik nga Qeveria e Kosovës, ndërsa pasiguria për pagat përbën një presion shtesë financiar.

AGK-ja angazhohet që anëtarët e saj në RTK dhe të gjithë punonjësit e tjerë aty të jenë në gjendje të kryejnë punën e tyre pa ndërhyrje e pengesa, dhe në interes të publikut.

AGK-ja bën thirrje që një qeveri dhe një kuvend i ri të miratojnë pa vonesa një ligj të ri për RTK-në, i cili i siguron Transmetuesit Publik pavarësinë e plotë të veprimit, duke i mundësuar gjithashtu një shtëpi të përhershme për zhvillimin e punës.