“Pa Qeveri legjitime, Kosova nuk mund të avancojë në arenën ndërkombëtare”
Mungesa e një Qeverie me legjitimitet të plotë, po shihet edhe si një faktor që po ndikon në stagnimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Kështu ka vlerësuar njohësi i çështjeve diplomatike, Dritëro Arifi, duke theksuar se politika e jashtme është pasqyrë e asaj të brendshmes.
Arifi teksa tregon pasojat në mungesë të një Qeverie me kompetenca të plota, ka nënvizuar edhe atë se si kryeministrit ën detyrë, Albin Kurti askush nuk i shkon në zyre.
“Gjithmonë është politika e jashtme reflektim i politikës së asaj të brendshme, reflektim është që nuk kemi qeveri legjitime, dhe parlamenti që është formuar ka një pikëpyetje duke lëvizur që nga krijimi i parlamentit. Nëse e vërejmë nga ambasadat e QUINT-it, nuk ka pasur një urim, nuk ka pasur një bashkëpunim me parlamentin që të vazhdohet tutje, pra ka një hezitim të ambasadave të QUINT-it se çfarë ka ndodhur. Politikat tona të jashtme ndërlidhen me këto elemente. Po ashtu kemi një qeveri jolegjitime e cila askush nuk i shkon në zyrë dhe këto janë elemente që ndikojnë në mosavancimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare. Një vend i vogël nëse i ka të gjitha parakushtet e ka të vështirë ta arrijë vetë qëllimin, por një vend i vogël që është i izoluar dhe çështjen e shtetit ende nuk e ka të zgjidhur në arenën ndërkombëtare dhe një shtet që ka probleme kaq shumë të brendshme imagjinoni sa vështirë e ka të arrihet diçka e vogël”, ka deklaruar Arifi për EO.
Sipas Arifit, mungesa e konsensusit të brendshëm për prioritetet kombëtare dhe paqëndrueshmëria politike po e izolojnë Kosovën në arenën ndërkombëtare.
Ai shtoi se, ndonëse Qeveria Kurti ka treguar vullnet për integrime evropiane, vendi po pengohet nga mungesa e pjekurisë politike dhe fokusit strategjik.
“Partnerët tanë ndërkombëtarë, sidomos flasim për ambasadat e QUINT-it, sepse ato janë bërthama e gjithçkaje që ndodh në BE dhe SHBA. Normalisht që ato kanë bashkëpunuar me të gjitha partitë dhe me këtë qeveri në largim, por esenca është që duhet të dimë se çfarë dëshirojmë ne. Nuk ka një konsensus brenda shoqërisë se cilat janë prioritetet tona, si duhet ato t’i zgjidhim, pra nuk ka një bashkëbisedim se çka kërkohet nga ne dhe çka mund të bëjmë dhe në favor të kujt është. Vetë logjika thotë se marrëveshjet me BE dhe me SHBA-të kujt i konvenojnë dhe kujt nuk i konvenojnë, pra e dimë përgjigjen. Pra i dihet përgjigja. Ato nuk i konvenojnë Rusisë dhe Serbisë që ne të mos kemi marrëveshje me botën perëndimore”, potencoi ai.
Tutje njohësi theksoi se pa stabilitet të brendshëm nuk mund të ketë avancim në proceset evropiane dhe bashkëpunimin me SHBA-në.
“Edhe integrimet evropiane kanë dy drejtime: ato teknik dhe politik. Për fat të mirë Shqipëria ka lëvizur në të dy drejtimet, në Kosovë nuk është që mungon vullneti – edhe tek qeveria Kurti nuk ka munguar vullneti – por edhe papjekuria edhe prioritetet nuk kanë të integrohemi në një shpejtësi të madhe kur bazamentin e kemi pasur më të mirë në rajon. Por ngecja dhe marrja jonë në një fshat në veri e kemi lënë që shumica e vendit të vuajë. Mendoj që kemi mundur t’i kemi të dyja: edhe veriun ta kemi nën kontroll, edhe agjendën, edhe reformat drejt BE-së të mos mungojnë. Mandej edhe nëse teknikisht i arrijmë, niveli politik na dëmton më shumë se teknik; nëse bëhet ky gabim, merr shumë kohë, shembull masat e BE-së që është shumë e vështirë të largohen edhe pse i kemi plotësuar kushtet”, theksoi Arifi.