Presidentja do të nis konsultimet për mandatarin e dytë pas dështimit të “Kurti 3”
Pas dështimit për formimin e Qeverisë Kurti 3, stafeta kalon përsëri tek e para e shtetit, presidentja Vjosa Osmani.
Siç e thotë Kushtetuta, Osmani duhet ta caktojë një mandatar të dytë për kryeministër brenda një afati prej 10 ditësh.
Nga kabineti i Osmanit, janë treguar të rezervuar në përgjigje, gjersa kanë konfirmuar, se do veprojnë brenda afateve.
“Presidentja Osmani do t’i ftoj partitë politike për konsultime gjithsesi brenda afatit kushtetues dhe në përputhje me përgjegjësitë kushtetuese”, ka theksuar Bekim Kupina – Këshilltar për Media i Presidentes.
Një mandatar mund ta propozojë sërish Lëvizja Vetëvendosje, ose një subjekt politik tjetër që dëshmon se i ka së paku 61 vota.
Por nëse të dyja mundësitë dështojnë, nga Instituti Demokratik i Kosovës tregojnë skenarin tjetër të mundshëm.
“Nëse asnjëra nga partitë parlamentare nuk dëshmon ose nuk ka gatishmëri të propozojë një mandatar tjetër dhe të formojë një shumicë parlamentare për forminin e qeverisë, atëherë presidentja situatën do ta ketë të qartë, obligohet t’i shpallë zgjedhjet e reja të parakohshme jo më vonë se 40 ditë nga dita e shpërndarjes”, ka deklaruar Vullnet Bugaqku, nga KDI.
Sipas Bugaqkut, zgjedhjet e parakohshme janë të pashmangshme.
“Nga këto deklarime të partive politike parlamentare vërehet qartë që Kosova po shkon drejt zgjedhjeve të reja të parakohshme dhe presidentja nuk ka hapësirë dhe as mundësi tjetër vetëm se të shterrojë mundësitë ligjore dhe brenda afatit kushtetues, nëse vëren që s’ka mandatar të propozuar, atëherë të shpërndaj Kuvendin. Nëse ndodhë kjo, nëse presidentja vlerëson se duhet të shkojmë në zgjedhje, zgjedhjet mund të mbahen diku më 21 dhjetor të këtij viti”, ka deklaruar ai.
Nëse zgjedhjet e reja janë opsioni i vetëm, ato sipas KDI-së do të mund të mbaheshin më 30 nëntor, 7 dhjetor apo 14 dhjetor, varësisht nga data e shpalljes së tyre./dukagjini