Çka nëse Kurti s’arrin ta propozojë qeverinë deri të dielën?
Mandatari për formimin e qeverisë së re të Kosovës, kreu i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka edhe dy ditë kohë ligjore për t'ua prezantuar qeverinë anëtarëve të Kuvendit të Kosovës.
Nëse qeveria nuk zgjidhet të dielën - pas zgjedhjeve të shkurtit dhe muajve të tërë përpjekjesh për të formuar institucionet e reja - Kosova mund të përballet me një krizë të re institucionale.
Në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje mori më shumë vota, por jo mjaftueshëm për të formuar e vetme qeverinë.
Tani, nuk është e sigurt nëse kjo parti do të arrijë t’i sigurojë votat e deputetëve nga partitë e tjera deri të dielën, shkruan Radio Evropa e Lirë.
Për njohësin e çështjeve politike, Agon Maliqi, Kurtit i janë mbyllur dyert dhe Kosova do të shkojë në zgjedhje të reja. Dëgjojeni intervistën e realizuar me të.
Më herët, Lëvizja Vetëvendosje e përjashtoi mundësinë e bisedimeve me Partinë Demokratike të Kosovës, ndërsa e la derën hapur për bashkëpunim me Lidhjen Demokratike të Kosovës.
Tani për tani - së paku publikisht - nuk ka informacione se një marrëveshje koalicioni është në horizont.
Çka tani?
Në fillim të kësaj jave, Kurti la të kuptohej se mund të mos jetë në gjendje ta formojë qeverinë e re dhe vlerësoi se zgjidhje alternative është mbajtja e zgjedhjeve të reja.
Megjithatë, Kushtetuta e Kosovës përcakton që nëse përbërja e propozuar e qeverisë së re nuk e merr shumicën e nevojshme të deputetëve, presidenti i Kosovës duhet të emërojë një mandatar të dytë për kryeministër brenda dhjetë ditësh, i cili i ka gjasat më të mira për të formuar qeverinë.
I mandatuari i ri për kryeministër sërish do t’i kishte 15 ditë për t'i propozuar Kuvendit përbërjen e qeverisë dhe programin e punës.
Bazuar në vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës nga viti 2020, mandatari i dytë për kryeministër mund të jetë edhe nga partia e dytë më e madhe - në këtë rast Partia Demokratike e Kosovës.
Presidenti shpall zgjedhje të reja nëse Qeveria nuk zgjidhet për herë të dytë, dhe ato duhet të mbahen brenda 40 ditëve nga data e thirrjes.
Deri atëherë, Qeveria në detyrë do t’i kryente detyrat e saj.
Çfarë thotë praktika e vitit 2020?
Në prill të vitit 2020, presidenti i atëhershëm i Kosovës, Hashim Thaçi, i dha mandatin për të formuar qeverinë e Kosovës Avdullah Hotit nga Lidhja Demokratike e Kosovës - partia e dytë në atë kohë - sepse Vetëvendosja, si fituese e zgjedhjeve, nuk e shfrytëzoi mundësinë kushtetuese për të emëruar kryeministrin.
Atëkohë, Vetëvendosja e pa daljen nga kriza politike - e cila kishte lindur nga vota e mosbesimit ndaj Qeverisë së Kurtit më pak se dy muaj pasi ishte zgjedhur - në zgjedhje të parakohshme.
Vota e mosbesimit ndaj Kurtit u bë për shkak të pakënaqësisë së partnerëve të tij të koalicionit nga Lidhja Demokratike e Kosovës me mënyrën se si ai e udhëhoqi vendin gjatë pandemisë COVID-19, si dhe për shkak të përkeqësimit të marrëdhënieve me SHBA-në.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës më pas vendosi që dekreti i presidentit të Kosovës, Thaçi, që emëronte Hotin si mandatar për kryeministër, ishte në përputhje me Kushtetutën.