Serweri te Thaçi në Hagë- shpreson që verdikti të jetë i pandikuar nga milionat e paguara të evropianëve për Specialen
Foto: Laura Hasani

Serweri te Thaçi në Hagë- shpreson që verdikti të jetë i pandikuar nga milionat e paguara të evropianëve për Specialen

Aktuale October 18, 2025 - 22:25

Analisti amerikan, Daniel Serwer, ka treguar se dje e ka vizituar në qendrën e paraburgimit në Hagë, ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin. Serwer ka treguar se në takim me Thaçin kishte qëndruar për 40 minuta.

Serwer në platformën e tij ka thënë se përmes kësaj vizite dëshironte të ripërtërinte miqësinë e vjetër, teksa rikujton grindjet që kishte pasur me Thaçin pak para se ish-presidenti kosovar të shkonte vullnetarisht në Hagë.

“Gjithashtu doja të kuptoja më mirë realitetin që qëndron pas gjykatës së Dhomave të Posaçme të Kosovës që po zhvillon gjyqin e tij. Kështu që u takova edhe me zëdhënësin e gjykatës, Michael Doyle. E njoh Michaelin nga shërbimi i tij i shkëlqyer me HiRep Inzko në Bosnje”, ka shkruar Serëer.

Sa i përket bisedave me Thaçin, Serwer ka thënë se s’do të ndajë detaje, meqë bisedat me të gjithmonë kanë qenë private.

“ Nëse po kërkoni një informacion interesant për atë që më tha Hashimi, mos lexoni më tej. Bisedat tona kanë qenë gjithmonë private në të kaluarën, dhe edhe kjo do të jetë kështu. Përveç zyrtarit të burgut që u ul për të dëgjuar në përputhje me rregullat. Unë do ta respektoj konfidencialitetin e asaj që tha Hashimi. Por ai gjithmonë e respektoi të drejtën time për të thënë çfarë të dua në publik. Jam i sigurt se do ta bëjë akoma”, ka shkruar Serwer.

Profesori amerikan, ka shprehur shqetësimin e tij për mbjatjen për kohë të gjatë në paraburgim.

Së katërti, dhe ankesa ime kryesore sot, është koha qesharake që Hashimi dhe shokët e tij janë mbajtur në paraburgim, dhe tani gjatë gjyqit, në paraburgim. I pafajshëm derisa të provohet fajësia nuk duhet të jetë një slogan bosh. Këta njerëz dhanë dorëheqjen dhe shkuan në Hagë vullnetarisht, diçka që kundërshtarët e tyre në Serbi nuk e bënë. Si i justifikoni 5 vjet burg (një burg mjaft i sigurisë së lartë nga vëzhgimet e mia personale) para se të zbuloni nëse dikush është fajtor?”, ka shkruar Serwer.

“Përgjigja është shqetësimi në lidhje me frikësimin ose manipulimin e dëshmitarëve, gjë që ka qenë problem sipas gjykatës. Nuk e besoj këtë si një shpjegim të mjaftueshëm. Gjykata duhet t’i kishte liruar këta burra shumë kohë më parë. Asnjëri prej tyre nuk po ia mbath për t’u fshehur. Të gjithë mund të ishin monitoruar pa u paraburgosur në Hagë”, ka deklaruar ai.

Analisti amerikan mes tjerash shkruan se “Nuk e di nëse këta udhëheqës të UÇK-së janë fajtorë apo të pafajshëm për akuzat. Nuk i kam lexuar të gjitha transkriptet e gjyqit. Edhe nëse do t’i kisha lexuar, përgjegjësia është e gjykatës për të vendosur, jo e imja. Shpresoj vetëm që vendimi të mbahet i izoluar nga pritjet e qeverive evropiane se ato duhet të marrin disa dënime për qindra miliona euro që kanë investuar në këtë përpjekje”.

Serwer ka treguar edhe një ngjarje kur ishte takuar me Hashim Thaçin në SHBA më 1999.

“Edhe një histori për Hashimin, një histori aq e vjetër sa qeveria amerikane do ta kishte deklasifikuar tashmë. E gjeta veten 26 vjet më parë në Lansdowne me të dhe një nga komandantët e UÇK-së në mëngjes. U përpoqa të bëja një bisedë duke vërejtur se duhet të jetë e çuditshme për ta që të ishin në këtë vendpushim luksoz në Virxhinia, kur vetëm disa javë më parë kishin luftuar në malet e Kosovës. Hashimi shikoi komandantin e UÇK-së me të, i cili u vrenjt, u kthye nga unë dhe tha: “Unë kurrë nuk kam qenë luftëtar i vërtetë. Unë isha zëdhënësi politik.” Mendoj se Hashimi në atë moment ishte nën shumë presion për të më thënë të vërtetën”, ka shkruar Serwer.