Krasniqi: Në zgjedhje të parakohshme, sa më shpejt dhe pa vonesa
Foto: Laura Hasani

Krasniqi: Në zgjedhje të parakohshme, sa më shpejt dhe pa vonesa

Aktuale October 10, 2025 - 12:26

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se konstituimi i Kuvendit “duket se ende nuk e ka marrë përgjigjen e plotë”, pavarësisht emërimit të nënkryetarit të pestë dhe të fundit.

“Unë mendoj që ka pasur hapësirë tjetër për konstituim legal ose kushtetues, sepse kryetari i Kuvendit mundohej të konsultohej me ata që i japim udhëzime në vend se të jepte interpretim. Ishte një konstatim se është bërë konstituimi, por si do të shkojë tutje mbetet të shihet”, tha Krasniqi pas seancës.

Partia e tij nuk votoi për Rashiqin, pasi zgjodhi të abstenojë, dhe Krasniqi u arsyetua se “qëndrimi ynë ka qenë gjithmonë i qartë, ne kemi vendosur për të gjithë njëjtë, sepse ndryshe i bie të biem në grackën e Albin Kurtit që i ndan serbët sipas lojaliteteve të tij”.

Krasniqi theksoi gjithashtu se vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme “sa më parë”.

“Për neve është e rëndësishme që konstituimi të jetë final dhe të futemi në afate kushtetuese për formimin e qeverisë së re”, tha ai.

“Duke e ditur se asnjëra palë nuk e ka shumicën parlamentare, besoj se ajo që është më rëndësishme tani, është ta gjejmë mekanizmin që na dërgon në zgjedhje të parakohshme sa më shpejt dhe pa vonesa. Shpresoj se do të ketë racionalitet mes palëve për të arritur pajtueshmëri për këtë”, shtoi ai./REL