Begaj: Bashkëpunimi rajonal, instrumenti kryesor i integrimit në BE
Foto: Facebook

Begaj: Bashkëpunimi rajonal, instrumenti kryesor i integrimit në BE

Aktuale October 06, 2025 - 11:58

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, i cili po udhëheq Samitin e Brdo-Brionit në Durrës, në fillim të këtij procesi bëri thirrje për bashkëpunim më të fuqishëm mes Ballkanit Perëndimor.

Në fjalën e tij hapëse, Begaj tha se bashkëpunimi rajonal mbetet instrumenti kryesor i integrimit të rajonit në Bashkimin Evropian.

“Sot Shqipëria mirëpret Samitin e Procesit të Brdo-Brionit, së bashku me Kroacinë dhe Slloveninë, si bashkëkryesues të Presidencës së Brdo-Brionit, ne vlerësojmë rolin e kësaj platforme, si mekanizëm i rëndësishëm rajonal. Temat që do të diskutohen sot lidhen me bashkëpunime rajonale, marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, integrimin evropian, Planin e Rritjes së Bashkimit Evropian, rininë dhe hartimin e përmbajtjes së fuqisë së kualifikuar punëtorë, sidomos të rinisë në vendet tona”, deklaroi i pari i Shqipërisë.

“Shqipëria mbështet dialogun rajonal, me fokus bashkëpunimin, dhe procesin e integrimit evropian. Vlerësojmë progresin e arritur në këto drejtime. Për ne, bashkëpunimi rajonal mbetet instrumenti kryesor i integrimit të rajonit në Bashkimin Evropian, dhe duhet të vazhdojmë të shkëmbejmë eksperiencat dhe njohuritë tona për të pasur rezultate akoma më të prekshme nga ky proces i Brdo-Brionit”.