
Jashari: Gjykata Kushtetuese është shndërruar në sekretari të Kuvendit
Analisti Shemsi Jashari ka komentuar ngërçin politik që ka zgjatur mbi gjashtë muaj si pasojë e moskonstituimit të institucioneve shtetërore. Ai ka kritikuar ashpër qasjen e partisë fituese të zgjedhjeve dhe sulmet ndaj Gjykatës Kushtetuese.
“Fillimisht kryeministri Kurti e filloi këtë sulm masiv ndaj Gjykatës Kushtetuese dhe tash ekipi i tij po e shpërndan në terren; z. Dimal Basha, sot, tash zëvendësja e Dimal Bashës si kryetar kuvendi në tentativë – se dimë a po bëhet apo jo – edhe kjo e ashtuquajtura noterja e Albin Kurtit, presidentja Osmani… Është keq kjo sjellje, nuk ndikon në Gjykatën Kushtetuese në vendimin që do ta marrë me siguri, por ndikon shumë në shpërfaqjen e asaj se çka mendon kjo kastë politike për institucionet e pavarura të shtetit”, ka deklaruar Jashari.
Ai ka theksuar se synimi i partisë fituese nuk është konstituimi i institucioneve, por bllokimi i procesit.
“Krejt çka është duke ndodhur sot është një tendencë për ta legjitimuar bllokadën për një 2-3 muaj më shumë, derisa të afrohemi tek zgjedhja e presidentit. Tash nuk është tendenca se si t’i bëjmë institucionet, apo të shfrytëzohet hapësira ligjore për ta konstituuar Kuvendin dhe organet e tjera, por se si të arsyetohet kjo bllokadë, për të mos hyrë në afate ligjore nga të cilat nuk ka shteg për të mos ecur në ato procedura. Moskonstituimi dhe bllokada te nënkryetari i pestë i Kuvendit nuk është asgjë tjetër përveç një vegël për t’u ndalur, për të mos hyrë në afatin kushtetues, ku brenda 15 ditësh mandatarit të ri do t’i duhej të propozonte përbërjen e kabinetit”, ka shtuar ai./dukagjini