Mbi 1.8 milion fletëvotime do të shtypen për zgjedhjet lokale
Foto: Laura Hasani

Mbi 1.8 milion fletëvotime do të shtypen për zgjedhjet lokale

Aktuale September 08, 2025 - 11:46

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka mbajtur mbledhjen e 56-të për këtë vit, e kryesuar nga kryesuesi Kreshnik Radoniqi.

Në këtë mbledhje KQZ-ja mori vendime kyçe në lidhje me përgatitjet teknike për zgjedhjet lokale 2025.

Një nga vendimet kryesore ishte caktimi i numrit të fletëvotimeve, broshurave të kandidatëve dhe listave votuese që do të shtypen për raundin e parë të zgjedhjeve për kryetar të komunave dhe kuvendet komunale.

Sipas këtij vendimi, do të shtypen 1.800.410 fletëvotime për kryetar të komunave dhe po aq edhe për kuvendet komunale.

Këto fletëvotime do të mbulojnë të gjitha format e votimit: votimin në vendvotime të rregullta, votimin me kusht, votimin për personat me nevoja të veçanta, votimin përmes postës dhe rezervat teknike.

Numri i fletëvotimeve është 13% më i ulët sesa numri i përgjithshëm i qytetarëve me të drejtë vote, i cili, sipas Listës Votuese të certifikuar nga KQZ-ja, është 2.069.098 votues.

Sipas të dhënave të detajuara: 2.025.105 qytetarë janë të regjistruar për të votuar në vendvotimet brenda Kosovës kurse 43.993 qytetarë janë të regjistruar për të votuar përmes postës nga jashtë vendit

Zgjedhjet lokale do të organizohen në 938 qendra të votimit, 2.625 vendvotime, nga të cilat 910 qendra të votimit me 2,571 vendvotime të rregullta dhe 38 qendra të votimit me 54 vendvotime për votimin me kusht.

KQZ-ja ka njoftuar se përgatitjet për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor po ecin sipas planit dhe në përputhje me Ligjin zgjedhor të Republikës së Kosovës.