Bajrami: Politika korruptive e Kurtit faktorizoi Sërpskan, e bëri aleate në bllokimin e institucioneve
Foto: Laura Hasani

Bajrami: Politika korruptive e Kurtit faktorizoi Sërpskan, e bëri aleate në bllokimin e institucioneve

Aktuale September 06, 2025 - 10:58

Shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Hykmete Bajrami tha se përderisa bllokada politike vazhdon nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti dhe aleatët e tij, sipas saj, Kosova do të rrëshqasë drejt një krize të thellë ekonomike.

Ajo bën të ditur ndër të tjera se deficiti tregtar po thellohet me shifra frikësuese.

“Përderisa bllokada vazhdon nga Kurti dhe aleatët e tij, Kosova po rrëshqet drejt një krize të thellë ekonomike Sipas ASK-së norma e inflacionit është 4.3%, ndërsa për shportën bazë të konsumit inflacioni arrin në numra dyshifrore, deficiti tregtar po thellohet me shifra frikësuese, investimet kapitale të nivelit qendror janë më të ulëtat në histori e institucionet financiare janë në mungesë të thellë likuiditeti. Në të njëjtën kohë, energjia elektrike për bizneset më vitale në vend është 300% më e shtrenjtë”.

“Thënë më thjeshtë, çmimet po rriten çdo ditë, importojmë pothuajse çdo gjë që konsumojmë, qeveria nuk investon para në ekonomi dhe secila familje sot është në kredi. Ndërkohë, atë pak ekonomi që kishim po shkatërrohet, sepse po sakrifikohet prodhimi vendor për të favorizuar tregtarët e energjisë, të cilët tashmë edhe me emra shihet se janë njerëz të afërt me Albin Kurtin”, ka shkruar deputetja në Facebook.

Ndër të tjera, Bajrami thotë se politika korruptive e Kurtit, sipas saj ka arritur ta faktorizojnë Listën Serbe, duke e bërë aleate në bllokimin e institucioneve për një pozitë, siç e quan ajo, krejtësisht të parëndësishme në Kryesinë e Kuvendit.

“Politika korruptive e Albin Kurtit arriti ta faktorizojnë Listën Serbe, duke e bërë aleate në bllokimin e institucioneve për një pozitë krejtësisht të parëndësishme në Kryesinë e Kuvendit. Rrallë kush e di se kush ka qenë nënkryetar Listës Serbe në kryesinë e Kuvendit prej se ekziston ky institucion. Por është fakt se me Albinin në qeveri kjo parti ka 9 deputetë në Kuvendin e Republikës, pavarësisht akuzave që askush nuk i mohon institucionet e udhëhequra nga Albin Kurti dhe njerëzit e tij kanë miratuar pjesëmarrjen e tyre në zgjedhjet e 9 shkurtit”.

“Qytetarët duhet të dinë se secila sfidë e tyre si:  çmimi i lartë i ushqimit, faturat e fryra të energjisë, pagat e zhvlerësuara, vështirësitë për sigurimin e librave shkollorë, mungesa e barnave në spitale dhe mungesa e perspektivës ka një adresë. Kjo adresë është Qeveria, e cila po i bën 5 vite në pushtet dhe përveç korrupsionit galopant nuk mbahet mend të ketë sjellë ndonjë dobi për vendin. Shkatërruesit dhe bllokuesit e kanë fundin afër!”, ka shkruar deputetja.