Haradinaj: “Hardh Fest”, ngjarje që promovon punën dhe përkushtimin e njerëzve të Rahovecit
Foto: Facebook

Haradinaj: “Hardh Fest”, ngjarje që promovon punën dhe përkushtimin e njerëzve të Rahovecit

Aktuale September 05, 2025 - 15:49

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, mori sot pjesë në hapjen e festivalit “Hardh Fest 2025” në Rahovec, bashkë me kryetarin e Komunës, Smajl Latifi.

Në nisjen e festivalit, Haradinaj e cilësoi Rahovecin si kryeqytetin e rrushit dhe verës. “Rahoveci, kryeqyteti i rrushit dhe verës, sot e nis një ndër ngjarjet më të rëndësishme kulturore e turistike në vend, ‘Hardh Fest 2025’”, u shpreh ai.

Festivali nisi me “Karnavalin e Vreshtarëve” dhe prerjen ceremoniale të kalaveshit të rrushit, për t’u pasuar me garat e shpejtësisë në vjeljen e rrushit, që shënojnë çdo vit fillimin e kësaj ngjarjeje tradicionale.

Duke vlerësuar punën dhe traditën e kësaj treve, Haradinaj theksoi: “Rahoveci dhe njerëzit e tij dallohen si njerëz të punës e të përkushtimit, duke e bërë këtë komunë qendër të vreshtarisë e prodhimit të verës”.

Ai përmendi gjithashtu edhe rolin e institucioneve lokale dhe mbështetësve të festivalit. “Kontributi i kryetarit Smajl Latifi dhe Komunës për mbështetjen e fermerëve, si dhe angazhimi i ndërmarrësit shqiptaro-amerikan Rrustem Gecaj e organizatorëve të festivalit, dëshmojnë se kur bashkohen forcat, rezultati është suksesi”, tha Haradinaj.

Festivali “Hardh Fest” është një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore, bujqësore dhe turistike në Kosovë, i cili mbledh çdo vit fermerë, artdashës dhe vizitorë nga vendi e rajoni.