OVL-UÇK: Kërkimfalja e Bashës s’mjafton, ai duhet të shkarkohet menjëherë
Foto: Laura Hasani

OVL-UÇK: Kërkimfalja e Bashës s’mjafton, ai duhet të shkarkohet menjëherë

Aktuale September 01, 2025 - 16:19

Organizatat e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë reaguar ndaj kryetarit të Kuvendit, Dimal Basha, duke thënë se kërkimfalja e tij publike nuk është e mjaftueshme.

Në reagimin e tyre thuhet se qëndrimet e Bashës, të shprehura në një punim shkencor të vitit 2012, cenojnë luftën çlirimtare dhe UÇK-në, duke rënë ndesh me betimin kushtetues që ai ka dhënë si deputet dhe Kryetar i Kuvendit.

“Respekti ndaj themeleve të shtetit tonë, të ngritura mbi sakrificën e Dëshmorëve dhe Luftëtarëve të lirisë, është i panegociueshëm. Për këtë arsye, Dimal Basha duhet të shkarkohet menjëherë nga posti i Kryetarit të Kuvendit”, thuhet në reagim.

Organizatat njoftuan se tashmë u kanë dërguar një kërkesë zyrtare deputetëve të Kuvendit të Kosovës, duke kërkuar nisjen e procedurës për shkarkimin e Bashës dhe janë në pritje të veprimeve të tyre.