EULEX-i konfirmon: Serbja e arrestuar për spiunazh në Kroaci ishte ish-punëtore e misionit
Foto: Laura Hasani

EULEX-i konfirmon: Serbja e arrestuar për spiunazh në Kroaci ishte ish-punëtore e misionit

Aktuale August 28, 2025 - 16:02

Ana Murganiq, një serbe nga Mitrovica dhe ish-punëtore e EULEX-it, së bashku me të dashurin e saj – një pilot kroat i KFOR-it po hetohen në Kroaci nën dyshimin se kanë spiunuar për Serbinë.

Çifti është arrestuar në Split, pasi dyshohet se përmes aplikacionit WhatsApp kanë shpërndarë informacione të ndjeshme mbi lëvizjet e trupave të KFOR-it në veri të Kosovës dhe zhvillime tjera të sigurisë.Mediat kroate raportojnë se Murganiq ka qenë e infiltruar nga shërbimet sekrete serbe dhe ka pasur qasje në informacione konfidenciale gjatë punës së saj në misionet ndërkombëtare në Kosovë, madje edhe lidhje me gjyqtarë e prokurorë të EULEX-it.

Lidhur me këtë, EULEX për Tëvë1 ka konfirmuar se është në dijeni të raporteve të medias që përfshijnë një hetim “kundër një ish-anëtari të Misionit”.

“Misioni aktualisht nuk është në gjendje të komentojë më tej mbi rastin”, kanë thënë nga EULEX.

Prokuroria e Qarkut në Split ka konfirmuar hetimin për veprën penale të spiunazhit sipas Kodit Penal kroat, ndërsa të dyshuarit do të qëndrojnë në paraburgim për rrezik arratisjeje dhe ndikim te dëshmitarët. Hetimi është shpallur konfidencial.

Raportimet thonë se Murganiq kishte përcjellë informacione për rastin e Dejan Pantiq dhe situatat e tensionuara në veri të Kosovës, të cilat i dashuri i saj pilot ia siguronte nga misionet e KFOR-it.